Kosova

Kurti: Pres që së shpejti Borrell të na ftoj në takim me Vuçiçin – nga ana ime është shprehur gatishmëria


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se ka shprehur gatishmërinë e tij për të zhvilluar tutje takimet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Mirëpo thekson që vlerësimet për mbajtjen e takimeve të tilla bëhen nga dikush tjetër.

Prandaj, nuk ka informacione për një datë se kur pritet të mbahet një takim i nivelit të tillë.

“Nga data 18 gusht, takimet tona kanë strukturë të qartë, takimi zhvillohet në Bruksel me ftesën e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe emisarit special Miroslav Lajçak, me pikën e parë të rendit të ditës korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe pika e dytë është çështjet aktulale”.

“Unë pres që të bëjmë dialog për marrëveshje dhe pres që së shpejti zotëri Borrell të na ftoj, por kur do ta bëjë ai këtë natyrisht varet nga vlerësimeve të tij. Nga ana ime unë kam shprehur gatishmërinë, vullnetin, interesimin dhe do të jem konstruktiv i përkushtuar e kreativ”, deklaroi Kurti.

Ai tutje në një intervistë për Deutsche Welle, i pyetur lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se bisedimet po vazhdojnë për të përmirësuar statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Dialogu në Bruksel, është dialogu për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me synim normalizimin e plotë që duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke. Pra, nuk është dialog për statusin e Kosovës, por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Unë nuk them që njohja reciproke është e vetmja gjë që mund të përfshijë marrëveshja, mirëpo duhet të jetë në qendër, s’mund të ketë normalizim pa njohje dhe po ashtu duhet t’i trajtojmë çështjen e pakicave kombëtare”.

Kurti: Përveç gëzimeve, Pavarësia na kujton edhe çmimin e lartë që ka paguar

Afër ditës së Pavarësisë së Kosovës, Kurti ka deklaruar se kjo ditë përveç që kujton gëzimet e vendit, ringjall edhe dhimbjet në të cilat ka kaluar vendi.

“Në 15 vjetorin e Pavarësisë ne festojmë me gëzim, për sukseset dhe të arriturat, por në të njëjtën kohë edhe për dhimbje dhe pikëllim për çmimin e lartë që kemi paguar edhe për çlirimin dhe pavarësimin e vendit tonë duke kujtuar ata që sakrifikuan dhe kontribuan”.

Me këtë rast, kreu i ekzekutivit theksoi edhe sukseset të cilat po e gjejnë Kosovën në këtë 15 vjetor.

“Kosova, njihet nga 117 vende anë e mbanë botë dhe sot imazhi i Kosovës në botë është më i mirë prejse e kemi shpallur Pavarësinë. Në dy vitet e fundit kemi avancuar për 20 vende sa i përket luftimit të korrupsionit sipas Transparency International gjithashtu kemi avancuar për 17 vende sa I përket lirisë së medias”.

“Rritjen ekonomike për 4 për qind pasi që të hiqet inflacioni, eksportet janë rritur për 23 për qind të hyrat tatimore 22 për qind, buxheti për 17 qind dhe investimet e huaja për 44 për qind. Pra, progresi demokratik edhe ekonomik në Kosovë është evident, kjo na bën edhe krenarë edhe optimist”, tha Kurti.

Kosova të premten e 17 shkurtit feston 15 vjetorin e Pavarësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore