Lajme

Kurti: Po bëjmë gjithçka për lirimin e 3 policëve të rrëmbyer


“Jemi duke bërë gjithçka që ata të lirohen sa më shpejt”.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para gazetarëve në Ferizaj, pas inaugurimit të punimeve në një sallë sportive, kur është pyetur për tre policët e Kosovës të rrëmbyer nga policia serbe të mërkurën.

“Ftojmë edhe njëherë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë agresionin e Serbisë më 14 qershor, kur njësitet e tyre speciale ushtarake e policore rrëmbyen policët tanë”, tha Kurti.

“Në bazë të lajmeve që kemi, në fillim të javës që vjen, ambasadori ynë Jetish Jashari, shef i Zyrës ndërlidhëse në Beograd, do të arrijë t’i vizitojë tre policët tanë”, shtoi ai.

Të shtunën, Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një komunikate zyrtare i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që t’i lirojë menjëherë dhe pa kushte policët e Kosovës të kidnapuar nga xhandarmëria serbe.

“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiç dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të rreme ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”, thuhet aty.

Nga DASH-i potencohet se “ne gjithashtu vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të përshkruar nga Bashkimi Evropian dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Edhe Mbretëria e Bashkuar, gjegjësisht Ministria e Punëve të Jashtme, përmes një komunikate për media ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve, sipas tyre, të ndaluar, më 14 qershor nga policia Serbe.

Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar bëri thirrje, të premten, gjithashtu se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të de-përshkallëzuar tensionet.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet”.

Mbretëria e Bashkuar ka ripërsëritur thirrjet që Qeveria e Kosovës, gjegjësisht, kryeministri Albin Kurti, të plotësojë kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për de-përshkallëzim të situatës në Veri të Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare në komunën e Leposaviqit në Kosovë.

Arrestimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Policisë së Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërish në një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë. Pas këtij veprimi, Kosova ka ndaluar hyrjen e të gjitha mallrave në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore