
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook në përvjetorin e 24-të ka përkujtuar të vrarët nga forcat serbe në masakrën në Lybeniq të Pejës.
“Më 1 prill 1999, forcat serbe u kthyen në Lybeniq të Pejës, pas masakrës së parë, më 25 maj 1998. Rreth orës shtatë në mëngjes, të prirë nga pjesëtarët e formacionit “Çakejt”, pushkatuan burra, fëmijë, të moshuar, gra shtatzëna dhe foshnje”.
Po ashtu, Kurti tha se të vrarët në këtë masakër u gjetën në varrezë masive në Batajnicë të Beogradit.
“Shumë prej të vrarëve, mes moshës 15 dhe 87 vjeç, u gjetën në varrezën masive në Batajnicë, në periferi të Beogradit”.
Ndërkaq, ai shtoi se në 24 vjetorin e kësaj masakre “nderojmë kujtimin për të vrarët në masakrën e Lybeniqit, viktima të gjenocidit të Serbisë në Kosovë”.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com