Kosova

Kurti për “The Times”: Në Ballkan kemi një Rusi të vogël, është Serbia e cila përhapë lajme të rreme për mua


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për prestigjiozen britanike “The Times”, ka thënë se Rusia po e përdor Serbinë për të përhapur dezinformata kundër aleatëve të Ukrainës dhe lajme të rreme kundër tij.

“Në Ballkan kemi një Rusi të vogël, që është Serbia. Kur Rusia pushtoi Ukrainën, Serbia menjëherë u rreshtua në anën e tyre. Të nesërmen në mëngjes, mediat serbe po pretendonin se Ukraina kishte sulmuar Rusinë. Ata po tregojnë mbështetje me flamujt rusë dhe shenjën Z, të cilat janë shfaqur edhe në veri të Kosovës”, tha Kurti.

Tutje, Kurti për prestigjiozen britanike ka theksuar se “sasia e lajmeve të rreme nga veriu i Kosovës është i paprecedentë”.

“Kundër meje në veçanti, por edhe kundër Nenad Rashiçit, ministër për Komunitete dhe Kthim, i cili është serb. Objektivi i tyre kryesor janë serbët që integrohen në Kosovë”, ka potencuar ai.

“Rusia po punon me Serbinë në kampanja dezinformimi dhe në sulme kibernetike kundër vendeve të Ballkanit që po e mbështetin Ukrainën”, ka potencuar kryeministri kosovar.

Një hetim i publikuar këtë muaj nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative tregoi se Rusia ka ndërtuar një rrjet biznesmenësh, politikanësh dhe organizatash mediatike në Ballkan që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, kur shumë vende në rajon ndërmorën hapa për të bllokuar kanalet e mediave ruse.

Sipas artikullit të “The Times”, Kremlini po përdor tani dezinformatat në Ballkan jo vetëm për të destabilizuar demokracitë tashmë të brishta të rajonit, por për të tërhequr paralele të rreme midis luftës së Ukrainës dhe bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë gjatë vitit 1999.

Në fillim të këtij muaji, një grup hakerësh rusë të quajtur “Server Killers” kanë zhvilluar një sulm kibernetik kundër faqeve zyrtare të institucioneve të Kosovës, derisa Kurti theksoi se “shqetësuese është edhe lufta kibernetike”.

Ndryshe, gjatë muajit mars të këtij viti kryeministri Kurti pati inauguruar Qendrën Trajnuese Shtetërore për Siguri Kibernetike që do të funksionoj në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së dhe që ofron programe trajnimi për institucionet publike dhe private me qëllim që të rrisim qëndrueshmërinë shtetërore për tu përballur me rreziqe të tilla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore