Kosova

Kurti për të burgosurit e Dubravës: Për Kosovën, janë dëshmi e së vërtetës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se të gjithë të burgosurit në Dubravë ishin dhe janë dëshmi e së vërtetës të Kosovës.

Përmes një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, në 25 vjetorin e masakrës së Dubravës, Kurti ka kujtuar se kjo masakër vazhdon të jetë “akuza më e fuqishme”.

“Emrat e skalitur në memorialin e 116 të vrarëve në këtë masakër, janë e vërteta dhe akuza më e fuqishme për masakrën e Dubravës”, ka shtuar ai.

“Shteti ynë, do të gjejë rrugë dhe mënyra, për të dëshmuar sërish e përsëri, sikur sot, sikur vitin e kaluar, sikur që e  kemi bërë gjatë këtyre 25 viteve, për të vënë drejtësi dhe për të vërtetën aq të rëndësishme të historisë, të sakrificës dhe të  qëndresës së popullit tonë”, ka thënë Kurti.

Ai në fjalimin e tij ka përmendur edhe tri gjenerata që përfshijnë të burgosurit politikë përgjatë tri dekadave.

“Këtu bëj pjesë dhe vetë unë, që bashkë me shumë prej jush që jeni sot këtu dhe me shumë të tjerë, u arrestova, u burgosa dhe u mbajta peng lufte, ndërkohë që edhe u gjykova në Nish në një proces politik nga autoritet e regjimit kriminal të Serbisë”.

Më 2 shtator të 2023-së, nga Prokuroria Speciale e Kosovës, kishin thënë se brenda javësh do të ngrit aktakuzë për Masakrën e Dubravës, por që akoma s’ka ndodhur.

Ndërsa në muajin nëntor ishte ngritur aktakuzë kundër një serbi për masakrën e Dubravës.

I pandehuri vazhdon të gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, deri në një vendim të ri të Gjykatës.

24 vjet më parë në Burgun e Dubravës ndodhi njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit i Sllobodan Millosheviç me ç’rast në periudhën 19-24 maj 1999, vrau brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosi 300 të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore