Kurti për takimin me Vuçiç-in: Do të shohim cilat janë idetë për të ecur përpara

SHFLETO

Albin Kurti

 

Dreni Himbeqa
25.06.2024 15:33
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka potencuar se takimi i radhës në mes të tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian do të jetë në funksion të rekapitullimit të këtij procesi.

Sipas tij të mërkurën e 26 qershorit në Bruksel do të shihet se në çfarë “gjendje ndodhet procesi i dialogut” dhe “cilat janë idetë për të ecur përpara”.

“Për bindjen time të fuqishme Marrëveshja Bazike me pjesën integrale të aneksit të Ohrit e bën normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen së paku de facto në qendër andaj, kjo është zgjidhja evropiane e fqinjësisë së mirë, por e cila nuk është realizuar deri më sot”, tha ai në një prononcim të shkurtër për media.

Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, do t’i presë të mërkurën për një raund të ri të negociatave kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në përpjekje për të çuar përpara procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, ndërsa në bazë të një njoftimi të lëshuar nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), shefi i diplomacisë evropiane dhe emisari i posaçëm për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, do të zhvillojnë takime të ndara nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh.

“Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së do të zhvillojnë takime të ndara me të dy liderët nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh. Takimet do të analizojnë bilancin se çfarë është arritur në dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara. Do të ketë deklarata për shtyp para dhe në fund të takimeve”.