Kosova

Kurti: Takimi me shefin e CIA-s dëshmon përkushtimin e SHBA-së për sigurinë e Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i CIA-së, William Burns.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vizita e shefit të CIA-s në Kosovë, William Burns, dëshmon për përkushtimin dhe kujdesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), për siguri dhe parandalimin e çfarëdo kërcënimi.

Deklarata e Kurtit vjen në një konferencë të përbashkët me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë renovimit të Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku është pyetur nga gazetarët për këtë takim.

“Takimi ka shkuar shumë mirë dhe natyrisht që ne kemi bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe me këtë institucion tejet të rëndësishëm të inteligjencës dhe sigurisë. Para se gjithash, nëpërmjet Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, unë e falënderoj shefin e CIA-s i cili vizitoi vendin tonë”.

“Është një dëshmi tjetër e përkushtimit dhe kujdesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për siguri edhe parandalimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë për Republikën tonë në marrëdhëniet bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të paqes dhe stabilitetit e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Kurti.

Shefi i CIA-s, ka qëndruar në Kosovë më 23 gusht.

Ai fillimisht ishte takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku pas takimit është thënë se aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), është garancë për siguri, paqe e sukses.

“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns”, kishte shkruar Osmani.

Pas Osmanit, Burns ishte takuar edhe me Kurtin.

Fillimisht, Burns vizitoi Bosnje e Hercegovinën më 20 gusht, ndërsa më 21 gusht, qëndroi në Serbi.

Për këto vizita nuk janë dhënë fare informacione zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore