Lajme

Kurti për ndalimin e kosovarëve në Serbi: Vuçiç ka filluar të hakmerret pas suksesit të Kosovës në KiE


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ndalimi i autobusëve dhe udhëtarëve të Kosovës të mërkurën u bë më urdhër të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Vuçiç ka filluar që të hakmerret. Andaj edhe ajo çfarë po ndodh në këtë javë është paralajmëruar të shtunën që shkoi kur presidenti i Serbisë vizitoi njësitet ushtarak ‘Kobra’ në ditëlindjen e tyre, një njësit të cilën ne e patëm akuzuar në mesë të qershorit të vitit të kaluar që i ka rrëmbyer tre policët tanë në Veri”, tha Kurti para gazetarëve.

“Duket që arrestimi masiv i cili është bërë dje, me ç’rast qindra qytetarë civil janë lënë pa medikamente, pa ushqim dhe pa ujë për pothuajse një ditë të plotë, është rezultat i suksesit të Kosovës në Asamblenë Parlamentar në KiE dhe si një hakmarrje intensive u bë kjo përndjekje e ky ndalim”.

Kurti theksoi se veprimet e serbëve në Kosovë po bëhen me urdhër të Beogradit, derisa Serbinë e konsideron fajtore edhe për situatën në Veri dhe e cila sipas tij po bënë përpjekje për ta dështuar procesin e referendumit për largimin e kryetarëve aktual të katër komunave veriore.

“Në Serbi po kryhet siç besojnë ata ushtrimi më i madh ushtarak në këtë shekull. Që të gjitha këto janë të sinkronizuara edhe me bojkotin që po bëhet votimeve në katër komunat veriore të paraparë të dielën e që do të ishte një shans për qytetarët atje që ta shprehin vullnetin e tyre”, potencoi Kurti.

Të mërkurën edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, theksoi se me ndalimin e autobusëve dhe udhëtarëve të Kosovës nga autoritetet serbe Vuçiç, ka filluar që t’i jetësojë kërcënimet e tij që i ka bërë kohëve të fundit në rast të votimit pro Kosovës në KiE

“Një veprim i tillë bazohet në ngjarjet e djeshme [votimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë]. Jemi dëshmitarë të deklaratave kërcënuese të Vuçiç-it gjatë ditëve dhe javëve të kaluara, i cili ka kërcënuar jo vetëm Kosovën, por edhe partnerët dhe mbështetësit tanë që vota pozitive në KiE do të ketë pasoja. Për shkak se dje nuk eci as presioni as propaganda në atë seancë, Vuçiç ka filluar që t’i jetësojë kërcënimet e tij”, potencoi Gërvalla në një konferencë për media.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore