Lajme

Kurti për miratimin e Fondit Sovran: Kosovën e vendosëm në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas miratimit të projektligjit të Fondit Sovran në Kuvendin e Kosovës ka thënë se me këtë vendim Kosova do të ketë përparësi në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ai ka thënë se Fondi Sovran do të ketë ndikim pozitiv në shumë aspekte.

“Me këtë vendim e vendosëm Kosovën në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës dhe vumë bazën për krijimin e një trashëgimie për gjeneratat e ardhshme. Fondi Sovran do të punojë që t’i forcojë ndërmarrjet publike të vendit dhe ato t’i shndërrojë në korporata të fuqishme të vendit dhe më tej”.

“Fondi Sovran do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore financiare dhe duke e ngritur dhe shtuar qarkullimin e kapitalit investiv për gjithë ekonominë e vendit”.

Kreu i ekzekutivit e ka quajtur vetëm hap të parë miratimin e Fondit Sovran.

“Ligji është vetëm hapi i parë, meqë Qeverinë e presin punë të shumta në ndërtimin e strukturës organizative të Fondit Sovran dhe në thellimin e reformave në sektorin publik për përgatitjen e ndërmarrjeve që do të inkorporohen si asete të Fondit Sovran”.

“Për këtë ne do të vazhdojmë të punojmë me ekspertët e vendit dhe ata ndërkombëtarë dhe të mësojmë nga përvojat më të mira ndërkombëtare të fondeve sovrane në Evropë dhe në botë, por edhe në nismën për krijimin e kornizës ligjore për tregun e kapitalit në Kosovë”, ka shkruar Kurti.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar të premten në mbrëmje në lexim të dytë Projektligjin për Fondin Sovran.

62 deputetë të pushtetit, votuan pro këtij projektligji, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Si pjesë e projektligjit për Fondin Sovran në lexim të dytë u përfshin 47 amendamente.

Sipas ekzekutivit, Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.

Për këtë projektligj kritikues dhe kundër votimit të tij kanë qenë opozita.

Miratohet Fondi Sovran

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore