Kosova

Kurti për doganierin e EULEX-it të vrarë në Veri: U qëllua me gjakftohtësi


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 11 vjetorin e vrasjes së doganierit nga Lituania, Audrius Shenavicius në Veri, ka thënë se ky i fundit u vra me gjakftohtësi nga persona ende të panjohur për organet e rendit.

“Doganieri, Audrius Senavicius, u qëllua me gjakftohtësi nga sulmues të panjohur në veri të Kosovës, në rrugën Zveçan-Leposaviq. Ashtu si heronjtë tanë kombëtarë Enver Zymeri dhe Afrim Bunjaku, Shenavicius na kujton sakrificat e mëdha që kanë bërë burra e gra trima për të shtrirë sigurinë dhe sundimin e ligjit në mbarë Republikën e Kosovës”, shkroi ai në platformën X.

Kurti ka theksuar se në këtë 11-vjetor të vrasjes së doganierit lituanez, “ne nderojmë kujtimin e tij dhe vlerësojmë shërbimin e tij ndaj vendit dhe popullit tonë”.

Audrius Senavicius e humbi jetën e tij deri sa po shërbente si doganier i EULEX-it. Audriusi u vra si pasojë e të shtënave me armë gjatë kohës kur ai me kolegët e tij po shkonin me makinë në pikën doganore në veri të Kosovës për ta filluar ndërrimin e tyre të punës.

EULEX-i vazhdimisht ka bërë thirrje secilit që mund të ketë informata të cilat mund të jenë të dobishme për hetimet që të paraqiten pa hezitim. Ky Mision pati vënë në dispozicion një shpërblim prej 82.000 euro për çfarëdo informate që sjell deri te arrestimi i kryerësit(ve) të kësaj vrasje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore