Kosova

Kurti për diasporën: Është e lidhur shumë me vendlindjen e tyre


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar rolin e diasporës në zhvillimin e vendit dhe diplomacinë e shtetit, derisa ka theksuar se është e pamundur të flasësh për historinë e vendit pa përfshirë dhe diasporën.

“Në shumë mënyra, diaspora jonë përfaqëson një tejzgjatje të natyrshme të komuniteteve tona përreth botës. Është një diasporë e lidhur shumë me vendlindjen e tyre”, tha kryeministri Kurti gjatë mirëpirtjjes së gjeneratës së parë të Shkollës për Diplomaci të Diasporës.

Sipas Kurtit, synimi i kësaj shkolle është që të nxjerrë në dritë më shumë njohuri se si ne të gjithë mund të përmirësojmë angazhimin e diasporës, si në kontekstin e zhvillimit të vendeve tona përkatëse, ashtu edhe për të eksploruar dhe shqyrtuar risitë se si mund të funksionojë angazhimi i diasporës në forcimin e lidhjeve mes vendeve tona.

Nga ana tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë kësaj ceremonie potencoi se nga këtu fillon një rrugëtim i rëndësishëm për Kosovën për vitet e ardhshme për të treguar rëndësinë që luan diaspora në diplomaci.

“Rëndësia e kësaj shkolle qëndron tek roli i saj si një platformë bashkëpunuese në të cilën  integrojmë pjesë të diasporës”, tha ajo.

Gërvalla shtoi se pjesëmarrësit e kësaj shkolle do të kenë mundësi të ndajnë përvojat e tyre duke na lidhur dhe përafruar me tema të ndryshme nga mbarë bota, duke eksploruar se si mund të rrisim fuqinë e diasporës për marrëdhënie më të mira diplomatike dhe zhvillim kombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore