Lajme

Kurti për BBC-në: Sigurisht që jam gati për de-eskalim


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar për multimedialin britanik “BBC” se është i gatshëm të ndërmarrë veprime për të ulur tensionet në veri të vendit.

Lajmi u bë i ditur gjatë intervistës për “BBC Hardtalk”.

“A jeni gati për të ndërmarrë veprime për të ulur tensionet?”, ishte pyetja e drejtuesit të emisionit. “Sigurisht dhe unë kam ofruar që sa më shpejt të ketë zgjedhje të parakohshme në katër komunat e veriut. Ne duhet të kemi shtet ligjor në mënyrë që të kemi një fushatë të drejtë dhe të hapur përpara zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, u përgjigj kreu i Qeverisë për BBC-në.

Zëvendës kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi pranoi më herët se ishte pajtuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për de-përshkallëzim të situatës në Veri.

“U takova me Miroslav Lajcak-un për të diskutuar hapat e ardhshëm për zbatimin e plotë dhe të drejtë të Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit të saj. Ramë dakord për hapat e nevojshëm për të siguruar uljen e përshkallëzimit efektiv të përcaktuar me ligj, fokusimin në normalizimin dhe zbatimin e sundimit të ligjit”, shkroi ai në Twitter.

Paraprakisht, edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar përmes një cicërime në Twitter se është dakorduar me zëvendëskryeminstrin Bislimi për hapat fillestarë drejt zbatimin të planit 3-pikësh të BE-së për de-eskalim në Veri.

“Diskutime intensive dypalëshe zhvilluan sot në Bratislavë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi për de-eskalimin e situatës në Veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e 27 vendeve të Bashkimit Evropian të 3 qershorit dhe rrugën përpara në zbatimin e të gjitha Marrëveshjeve të Dialogut. Ne ramë dakord për hapat e parë drejt këtij qëllimi”, shkroi Lajçak në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore