Lajme

Kurti për BBC-në: SHBA-të dhe BE-ja u njoftuan pesë ditë para vendimit për shpalljen e dy organizatave terroriste


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pohoi për multimedialin britanik “BBC” se SHBA-të dhe BE-ja u njoftuan pesë ditë para vendimit për shpalljen e dy organizatave terroriste.

Lajmi u bë i ditur gjatë intervistës për “BBC Hardtalk”.

“Ne vazhdimisht komunikojmë dhe koordinohemi si me BE-në ashtu edhe me SHBA-të, por më pas duhet të respektoj dhe zbatoj kushtetutshmërinë dhe rendin juridik dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Pesë ditë para marrjes së këtij vendimi me të cilin ne i shpallëm këto dy organizata si organizata terroriste, ata u njoftuan se çfarë do të bënim”, theksoi Kurti për BBC-në.

Sipas tij, nëse nuk do të kishte bërë këtë, do të shkelte ligjin dhe do t’i duhej të neglizhonte të dhënat nga sektori i Sigurisë dhe Inteligjencës.

“Pra, ne koordinohemi, kjo nuk do të thotë se jemi dakord gjatë gjithë kohës për të gjitha çështjet”, ravijëzoi kreu i Qeverisë.

Më herët, Qeveria e Kosovës etiketoi dy grupe serbe si organizata terroriste.

Kryeministri Albin Kurti tha në një seancë të kabinetit se Mbrojtja Civile (Civilna Zastita) dhe Brigada e Veriut (Severna Brigada) paraqesin një nivel të lartë “kërcënimi dhe rreziku”.

Ai shtoi se të dyja grupet kishin “rekrutuar dhe trajnuar anëtarë se si të përdornin armët dhe të mbanin metoda të tjera luftarake në bazat ushtarake në Serbi me qëllim që të kryenin sulme ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë”.

Serbët, të cilët përbëjnë shumicën në veri të Kosovës, thonë se Civilna Zastita u shpërbë në vitin 2015 kur serbët ranë dakord t’i bashkohen institucioneve të Kosovës duke përfshirë policinë dhe gjyqësorin dhe morën pjesë për herë të parë në zgjedhjet lokale.

Nuk është e qartë se kë përfaqëson Severna Brigada, kur është themeluar apo si funksionon.

Vitin e kaluar grafite të nënshkruara nga grupi u shfaqën në rrugët në veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore