Kurti: Për 4 vjet krijuam 87 mijë vende të reja pune

Albin Kurti

Dini Fetahu
18.05.2024 17:48
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pretenduar se në katër vitet e fundit në vend, që përkon me kohën e qeverisjes së tij, janë krijuar 87 mijë vende të reja të punës, apo 26 për qind më shumë se kanë qenë në vitin 2019.

Këto komente, Kurti i ka bërë fillimin e pilotimit të skemës së reformuar të asistencës sociale, ku ka theksuar se nuk është e nevojshme që të flitet për situatën me vende të punës, meqë, sipas tij, statistikat flasin vetë.

“Statistikat e rritjes së vendeve të punës, uljes së shkallës së papunësisë, rritjes së punësimit të grave dhe të rinjve, rritjes ekonomike, rritjes së qarkullimit të bizneseve, e rritjes së të hyrave buxhetore, pasqyrojnë qartazi suksesin e Qeverisë sonë në këtë drejtim”, tha Kurti.

“Nga 331,742 vende pune në mbyllje të vitit 2019, në fund të vitit 2023, pra për një periudhë 4 vjeçare, kemi 419,126 vende pune apo mbi 87 mijë vende pune më shumë apo mbi 26 për qind”, shtoi.

Pos këtyre, sipas kryeministrit gjatë kohës kur ai drejton qeverinë buxheti i shtetit është rritur për 1 miliard euro.

“Më tej, nga një rritje ekonomike prej 1 miliard euro për tri vite gjatë mandateve para qeverisë sonë, kaluam në një rritje ekonomike prej 1 miliard euro në vit me Qeverinë tonë. Nga një rritje e të hyrave buxhetore prej 1 miliard euro për më tepër se 10 vite para nesh, kaluam në një mbledhje të të hyrave buxhetore për 1 miliard euro më shumë për tri vite qeverisje”.

“Këtë realitet të ri ekonomik për vendin”, sipas Kurtit, “e konfirmojnë edhe institucionet ndërkombëtare financiare në raportet e tyre, sikurse Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar e së fundmi edhe raporti i agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit kreditor, Fitch Ratings”.

Ndryshe, opozita, por edhe njohësit e çështjeve ekonomike e kanë kritikuar qeverinë e Kurtit për politikat e tyre ekonomike, duke i konsideruar ato si “joefektive”, dhe të “dëmshme” për zhvillimin e vendit.

Për më shumë se tre vjet qeverisjes, ekzekutivi i Kurti ka mungesë të theksuar të investimeve kapitale, derisa edhe ikja e të rinjve është e lartë, të cilët për një mirëqenie më të mirë po zgjedhin që të largohen në vendet perëndimore.

Të fundit

Aktuale