Lajme

Kurti pas vizitës në Veri: Republika është e të gjithë qytetarëve


Albin Kurti gjatë vizitës në Veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vizitës së paparalajmëruar që bëri në Veri të vendit të mërkurën, ka thënë se Republika është e të gjithë qytetarëve.

Këto komente, Kurti i bëri në Facebook, duke e shoqëruar me një video në të cilën pasqyrohet vizita e tij në atë pjesë të Kosovës, përkatësisht në Leposaviq, Banjë të Zveçanit – aty ku ndodhi sulmi terrorist më 24 shtator – Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut dhe lagjen Kroi i Vitakut.

“Patëm takime dhe biseda me kryetarin Lulzim Hetemi, anëtarë të kuvendit komunal të komunës që ai drejton, policë në krye të detyrës në Banjë, zyrtarë të Agjencisë për Regjistrimin Civil në Zubin Potok, dhe kryetarin Erden Atiqi në Mitrovicë të Veriut”, shkroi fillimisht Kurti.

Sipas kryeministrit sot nuk ishte ditë e zakontë, për shkak se në ditëlindjen e 45-të të Heroit të Kosovës, policit Enver Zymeri, u përurua lapidari kushtuar atij, në vendin ku heroikisht ra në krye të detyrës më 26 korrik të vitit 2011.

“Përkrah meje ishte djali i tij, Sokoli, e përkrah lapidarit valon flamuri i Republikës”.

Kurti njoftoi se gjatë vizitës në Veri është ndalur edhe në vendpunishtet e shtëpive të reja që po ndërtohen me mbështetjen e Qeverisë.

“Në lagjen Kroi i Vitakut, na mirëpritën pjesëtarë të familjes Avdyli, Istrefi e Behrami që dukeshin aq të ngazëllyer sa edhe shpreheshin të lumtur për shtëpitë e tyre të reja. Një ditë më parë ndamë edhe katër milionë euro shtesë për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq, dhe Zubin Potok për komunitetet joshumicë në komuna”, shtoi.

Qeverisja, theksoi Kurti, “është shërbim pa dallim dhe pa privilegje”.

“Republika është e të gjithë qytetarëve. Qeveria jonë është për të gjithë qytetarët”, përfundoi ai.

Ndryshe, vizita e kryeministri Kurti në Veri të vendit të mërkurën është shoqëruar nën masa të rrepta sigurie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore