Kosova

Kurti pas takimit me Von der Leyen: Do të aplikojmë për anëtarësim në BE


Ursula von der Leyen dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim, të enjten e 27 tetorit, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Mes shumë temave të diskutuar, zyra e kryeministrit ka njoftuar se Kurti në këtë takim, ka ripërsëritur qëllimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, para përfundimit të këtij viti.

“Ky vendim vjen si rezultat i orientimit politik dhe vleror sa i Qeverisë ashtu edhe i qytetarëve të Republikës të cilët mbështesin masivisht dhe plotësisht integrimin në BE”, thuhet të ketë thënë Kurti.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, ku Kurti ka theksuar faktin se Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se liberalizimi është më se meritor për qytetarët.

Në takim është diskutuar edhe për krizën energjetike, ku është konfirmuar ndihma e menjëhershme buxhetore prej 75 milionë eurove për Kosovën nga BE-ja në ballafaqimin me krizën energjetike.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe popullit të Kosovës, kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për këtë mbështetje e cila do të ndihmojë drejtpërdrejt në minimizimin e efekteve të krizës energjetike te qytetarët tanë”, thuhet më tej në komunikatë.

Kurti, sipas komunikatës për media, ka njoftuar Von der Leyen, për avancimin e vazhdueshëm që Kosova po shënon në indikatorët ekonomikë dhe demokratikë dhe për punën e qeverisë në reformën e drejtësisë, përmbushjen e agjendës evropiane për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Ai veçoi të gjeturat e raportet ndërkombëtare që dëshmojnë për përparimin gradual por të vazhdueshëm të Republikës së Kosovës në shumë fusha. Duke përfshirë këtu Raportin e Vendit për vitin 2022, që ishte ndër më të mirët në rajon, dhe tash së fundmi raportin e Projektit të Drejtësisë Botërore (WJP) i cili përveçse rendit Kosovën si të parën në rajon për nga sundimi i ligjit, e rendit atë në vendin e dytë në botë si shteti me përmirësimin më të madh në këtë fushë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore