Shqipëria

Kurti nuk e priti në takim, Rama: Nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albinin, ai do të ftohet në samitin e Berlin-it


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sërish për takimin e munguar me homologun e Republikës së Kosovës, Albin Kurti në kuadër të turit të tij dyditor nëpër Ballkanin Perëndimor.

“Unë nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albinin dhe nuk ndihem i fyer si një dhëndër që nusja nuk doli në takim. Shkova në Prishtinë si këtu, e pastaj në Beograd. Në mënyrën më absolute s’kam asnjë problem personal e aq më pak problem institucional me kryeministrin e Kosovës. Kam qëndrime të kundërta me një situatë të caktuar. Kaq”, theksoi kryeministri shqiptar.

Lajmi u bë i ditur gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Sipas tij, dy krerët e shteteve, këtë situatë po e përjetojnë dhe po duan ta trajtojnë në mënyra të ndryshme.

“Albini e përjeton si një situatë që do ta trajtojë pa u takuar dhe biseduar. S’jam për të bërë interpretime të natyrës psikologjike, nacional-historike. Pavarësisht se cili është qëndrimi i BE-së, vendeve të tjera, në takimin e Tiranës, kryeministri i Kosovë do jetë i ftuar, dëshiroj të jemi të gjashtë aty bashkë, përtej faktit që mund të mos jetë i ftuar apo s’duan ta ftojnë në vende të tjera”, garantoi kreu i Qeverisë.

Mesazhet ndaj Kurtit

Të shumta ishin edhe mesazhet e Ramës në adresë të homologut kosovar Albin Kurti, takimi me të cilin nuk u mundësua të enjten e 6 korrikut.

Ai i bëri një ftesë Kurtit duke i kujtuar se “njerëzit duhet të flasin për më tepër kur kanë qëndrime të ndryshme”.

“Unë nuk kam ardhur të interpretoj qëndrimin e Albinit. Gjëja më e rëndësishme sot është që njerëzit të takohen, njerëzit të flasin dhe për më tepër kur kanë qëndrime të ndryshme. Duke u takuar dhe duke folur e kuptojnë dhe lexojnë më mirë qëndrimin e njëri-tjetrit”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Rama shtoi se palët kanë komunikuar natyrisht, ose më saktë Rama ishte përpjekur të komunikonte me Kurtin.

“Ka qenë e vështirë, është një moment i tillë dhe unë nuk dua të jap gjykime”, shtoi kryeministri shqiptar.

Madje në një moment ai e krahasoi kërkesën për takim me Kurtin me atë të “një Xhuliete indiferente”.

“As në rininë time, nuk i kam shkuar mbrapa një ‘Xhuliete’ indiferente me aq shumë kërkesa sa i kam bërë personalisht Albinit për këtë takim dhe takimin e mëparshëm gjatë të cilës unë doja të jepja një ndihmë”.

Ai shtoi se ndryshe nga takimi i mëparshëm i kërkuar më Kurtin, për këtë takim, Kosova është aty si një nga gjashtë vendet, sqaroi kreu i Qeverisë.

“Unë nuk e konceptoja dot që në raportin që ne do të bëjmë për Berlin-in ne do të shkruajmë që nga Kosova s’kemi ndonjë material, s’kemi ndonjë kërkesë, s’kemi ndonjë propozim sepse nuk kemi arritur të kontaktojmë. Kjo është absurde”, theksoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore