Kosova

Kurti nga Kotori: Do të diskutojë për zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Samitin në Mal të Zi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij zyrtare në Kotor të Malit të Zi ku po merrë pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, është takuar me liderët që do të marrin pjesë në këtë samit.

Përmes një komunikate dërguar mediave nga Zyra e Kryeministrit është thënë se Kurti do të diskutojë për zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Kryeministri theksoi se në këtë samit do të diskutojë për përparimin e Kosovës në Agjendën e Reformës së Planit të Rritjes dhe për çështje rajonale, duke përfshirë gjendjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të Procesit të Berlinit”.

Samiti i radhës mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor po mbahet në Kotorr të Malit të Zi, pjesë e të cilit është edhe ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien.

Një samit i ngjashëm mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor ishte mbajtur edhe në Tiranë, i cili ishte organizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në muajin shkurt.

E një tjetër ishte organizuar më 12 dhjetor të 2023-së në Bruksel, ku Kosova ishte përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani.

Liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor kishin diskutuar për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

Në kuadër të këtij samiti, Osmani po ashtu, kishte informuar krerët e shteteve dhe të BE-së lidhur me situatën e sigurisë në vend, pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore