Kosova

Kurti në Londër flet për kidnapimin e tre pjesëtareve të policisë dhe sulmin e Banjës: Kërcënim i drejtpërdrejt i Beogradit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes së tij në konferencën e mbrojtjes në Londër ka folur për kidnapimin e tre pjestarëve të Policisë së Kosovës dhe sulmin terrorist të Banjës.

Kurti, para pjesëmarrësve theksoi se këto ishin vetëm dy raste ku Serbia e kërcënoi Kosovën drejtpërdrejt.

“Ai veçoi kidnapimin e tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në afërsi të kufirit nga forcat speciale serbe në qershor të vitit të kaluar dhe sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, si dy raste të kërcënimeve të drejtpërdrejta nga Beogradi zyrtar, i cila, siç tha kryeministri, mendon se ka një boshllëk politik dhe të sigurisë që ia mundëson një sjellje të tillë”.

“Ai shtoi se Kosova nuk është i vetmi vend në rajon i rrezikuar nga ndonjë sulm fizik, teksa tërhoqi vëmendjen edhe tek rreziku që paraqet infrastruktura dezinformuese ruse e që përdor intervenimin e NATO-s për të dezinformuar mbi perëndimin”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Një pjesë të fjalimit të tij, kreu i ekzekutivit ia kushtoi ndërhyrjes së NATO-së, duke thënë se ka sfiduar pikëpamjet pesimiste se çfarë mund të arrinte ndërhyrja perëndimor.

“Ajo që rezultoi ishte një republikë e pavarur, një angazhim për qeverisje të mirë dhe mirëqenie sociale të qytetarëve – qeverisje që respekton të drejtat e njeriut dhe vlerëson qëndrueshmërinë institucionale, me një kushtetutë dhe ligje që, siç theksoi Këshilli i Evropës në fillim të këtij viti, i përmbushin dhe tejkalojnë standardet evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, dhe organet e zgjedhura në mënyrë demokratike që i zbatojnë ato ligje”.

Ndër të tjera shtoi se “25 vjet pas intervenimit të NATO-s, Kosova është forcuar me ndihmën e aleatëve ndërkombëtar dhe tani është demokracia numër një në rajon, krahas përparimit ekonomik e shoqëror”.

Më 22 maj, Kurti ka udhëtuar për në Mbretëri të Bashkuar.

Në vizitën e tij zyrtare ai ka thënë se do të takohet edhe me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore