Kosova

Kurti në Krushë të Madhe: Fëmijët e lindur në liri, po festojnë të lirë në vendin që pa shumë shkatërrim


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përurimin e Shkollës së re Fillore dhe të Mesme te Ulët “Bajram Curri”, në Krushë të Madhe e ka konsideruar “festë dyfishtë”.

Sipas tij, Krusha e Madhe është vend i dhimbjes së madhe ndërsa tani po i bashkon gëzimi.

Së bashku me Kurtin në këtë përurim kanë marrë pjesë edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbëire Nagavci dhe kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

“Fëmijët e lindur në liri, po festojnë të lirë. Kjo shkollë e mban emrin e një atdhetari tonë të madh, të lindur këtu, në Krushë të Madhe, pra Bajram Currit, të cilit në vitin që shkoi e kishim 160-vjetorin e lindjes”.

“Si veprimtar i çështjes sonë kombëtare që u angazhua edhe për shkollën shqipe, duke ndihmuar për themelimin e klubeve e shkollave shqipe në Kosovë dhe duke mbrojtur alfabetin e gjuhës shqipe të vendosur në Kongresin e Manastirit. E sot, bashkë po përurojmë një shkollë të re në vendlindjen e tij të dashur për të gjithë neve”, deklaroi ai gjatë përurimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci gjatë përurimit të shkollës në Krushë të Madhe.

Kurti, këtë përurim e quajti “një dëshmi të vendosmërisë së tyre të palëkundur, për të rindërtuar jetën, për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për të vegjlit e të rinjtë e Krushës së Madhe”.

Teksa vlerësoi se arsimi cilësor është baza më e qëndrueshme për prosperitet për të ardhmen.

“Për ta ngritur cilësinë dhe për të përmirësuar kushtet arsimore, e kemi rritur buxhetin e arsimit edhe në këtë vit. Tanimë janë siguruar 18 milionë euro për investime fillestare për vitet e ardhshme në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit në infrastrukturën përkatëse në shkolla”.

Ndër të tjera, premtoi se me strategjinë qeverisëse për arsimin, të miratuar nga ekzekutivi për periudhën 2022-2026, parashihen investime domethënëse në fushën e edukimit në fëmijërinë e hershme dhe teknologji të informacionit e të komunikimit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës po punon me një qasje shumëdimensionale për ta forcuar shtetin, duke forcuar arsimin”.

Ndryshe, një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë më 25 mars të vitit 1999, në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël në afërsi të Rahovecit, forcat serbe kishin kryer një nga masakrat më të mëdha në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore