Lajme

Kurti: Në Bruksel isha i gatshëm ta nënshkruaja paketën, jo njërin prej teksteve


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ritheksuar se më 26 tetor në takimin me liderët kryesorë evropianë në Bruksel ka qenë i gatshëm të nënshkruajë “paketën, jo njërin prej teksteve” që sipas tij nënkupton së pari Marrëveshja Bazike, Aneksi i Zbatimit dhe pastaj draf-statuti i Asociacionit.

Sipas Kurtit i njëjti gatishmëri nuk është ofruar nga pala serbe, duke u lëshuar një shans unik e i jashtëzakonshëm që të vulosej normalizimi.

“Me këtë rast, më lejoni të theksoj që nëse Serbia do të ishte e interesuar për normalizim, përveç që nuk do ta shkelte Marrëveshjen Bazike të 27 shkurtit, njëkohësisht ajo do të bënte hapa të përparimit sa i përket kapitullit 35 të negociatave për anëtarësim në BE”, tha Kurti.

Refuzimi i nënshkrimit nga ana e Serbisë, sipas Kurtit, dëshmon që Beogradi zyrtar nuk dëshiron Asociacionin për serbët e Kosovës, por kundër Kosovës.

I pari i Qeverisë së Kosovës, ka thënë në një prononcim për media, se draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duhet ta bëjnë publik fillimisht ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, në atë mënyrë që të flitet më pastaj për përmbajtën e dokumentit në fjalë.

Parimi i konfidencialitetit i caktuar nga ndërmjetësit e procesit të dialogut në Bruksel, sipas Kurtit, është arsyeja pse Qeveria e Kosovës nuk mund të bëj dot publike vërejtjet dhe kritikat të dërguara Unionit për çështjen e draft-statutit të Asociacionit.

“Sa për mua le ta publikojnë edhe draft-statutin, e kësisoj të hapet edhe rruga për të publikuar edhe ne vërejtjet e kritikat tona”, ka thënë Kurti para gazetarëve të premten.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore