Lajme

Kurti flet me Dendias në Athinë për sulmin terrorist në Banjë


Albin Kurti dhe Nikos Dendias

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Greqi, ka takuar të martën ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, me të cilin ka diskutuar për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës dhe planet e Serbisë për zgjerimin e konfliktit në rajon.

Shefi i Qeverisë së Kosovës gjatë vizitës së tij në Athinë ka marrë pjesë në panelin diskutues të organizuar nga prestigjozja britanike “The Economist” mbi trazirat aktuale gjeopolitike nëpër botë, derisa nëpërmjet një postimi në platformën “X”, ka njoftuar se ministrit grek i ka treguar edhe për bashkëpunimin me Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR).

“Shijova takimin me ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias. Unë kam folur për sulmin terrorist dhe se si trupat paraushtarake u penguan të zbatonin planin e tyre të një konflikti më të madh. Ne diskutuam gjithashtu për bashkëpunimin me KFOR-in për patrullimin e kufirit verior”, ka shkruar të martën kreu i ekzekutivit kosovar.

KFOR-i ka njoftuar të hënën se përforcimet e Mbretërisë së Bashkuar në kuadër të misionit paqeruajtës kanë nisur patrullimin përgjatë vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Në një takim me komandantin turk të KFOR-it, Ozkan Ultutas, kryeministri Kurti kishte theksuar domosdoshmërinë e rritjes së sigurisë përgjatë vijës kufitare, posaçërisht në veri.

Ndryshe prej pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës (Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qipro), shteti grek ka luajtur rolin më bashkëpunues diplomatik, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, rritur nivelin e tregtisë dhe duke dërguar e pritur delegacione qeveritare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore