Kryeministri i Kosovës, Albin Kurtit, të hënën do të marrë pjesë në darkën joformale të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Athinë. Ai është në mesin e të ftuarve të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili ka bërë bashkë liderët e rajonit me rastin e 20-vjetorit të Samitit të Selanikut.
Iniciativa e kryeministrit Mitsotakis, mbledhja e liderëve të tetë liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) në Maximos, do të ketë në qendër zgjerimin dhe të ardhmen e rajonit, rolin e Greqisë në stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon dhe Evropën Juglindore.
Ndryshe prej pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës (Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qipro), shteti grek ka luajtur rolin më bashkëpunues diplomatik, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, rritur nivelin e tregtisë dhe duke dërguar e pritur delegacione qeveritare.
Kërkesa e Kosovës për njohje ekziston në Athinë prej shumë vitesh. Qeveria e Greqisë gjithashtu është treguar mjaft e hapur për bashkëpunim, duke pritur delegacione kosovare dhe duke bërë shpesh vizita zyrtare në Prishtinë. Çështja e Kosovës ngritet shumë shpesh në agjendën e politikës së jashtme greke.
Greqia ka qenë për një kohë të gjatë “mosnjohëse e butë” – përderisa nuk ka lëvizur drejt njohjes aktuale, ajo ka qenë mjaft e ngrohtë dhe konstruktive ndaj Kosovës në aspektin praktik. Madje, ajo ka zhvilluar marrëdhënie më të afërta me Kosovën në krahasim me shumë shtete njohëse.
Abstenimi i Greqisë në Këshillin e Evropës (KiE), kur Komiteti i Ministrave votoi pro vendimit që t’ia përcjellin Asamblesë Parlamentare (APKE) kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në organizatë, konfirmoi se Greqia është shtet me qëndrim “më të butë” krahasuar me shtetet e tjera mosnjohëse brenda BE-së dhe NATO-s.
Vlen të theksohet se edhe gjatë luftës së Kosovës dhe gjatë Konferencës e Paqes në Rambuillet të Francës, roli i diplomacisë greke ishte aktiv dhe ekuilibrues. Megjithatë, përpos në raport me pavarësinë e Kosovës, diplomacia greke është përballur në Ballkanin Perëndimor edhe me një çështje tjetër, atë të emrit të Maqedonisë së Veriut.