Lajme

Kurti nderon Fazliun e Zhitinë – e ardhmja jonë varet prej besnikërisë ndaj dëshmorëve


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Historia jonë përbëhet prej dëshmorëve, ndërkaq ardhmëria jonë varet prej besnikërisë ndaj dëshmorëve”.

Kështu është deklaruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë homazhit te varret e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, në Varrezat e Heronjve në lagjen “Velania” të Prishtinës.

Në 32-vjetorin e rënies së tyre, kryeministri Kurti kujtoi vjeshtën e vitit 1989, kur Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu si veprimtarë ilegalë organizonin dhe merrnin pjesë në demonstratat e asaj kohe, që ishin edhe të fuqishme edhe të shpeshta.

Më datën 1 nëntor, një ditë para se të vriteshin, Afrim Zhitia mbajti fjalim në demonstratë, ndërkaq më 2 nëntor, në lagjen “Bregu i Diellit”, në ballafaqim me forcat e Serbisë ranë heronj Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.

Ai veçoi vitet e ’80-ta, kur pas vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, Lëvizja e përjeton një hov të madh me organizimin brenda Kosovës, në radhë të parë duke iu falënderuar Afrimit dhe Fahriut, me ç’rast Afrimi ishte sekretar organizativ i Lëvizjes.

Kryeministri Kurti me tej theksoi aksionet e shumta në atë kohë, kur vepronte edhe çeta e Llapit me luftëtarët kryesorë, sot heronj, Ali Ajeti e Hasan Ramadani, të cilët i kishin armët që ua kishte dhënë Afrim Zhitia.

“Tash, kur vjen puna te përfaqësuesit e popullit janë dy lloj përfaqësuesish të popullit: përfaqësuesit demokratikë dhe përfaqësuesit historikë. Këto dy lloje nuk janë plotësisht të ndara, as të pavarura, por megjithatë janë dy lloje”, tha ndër të tjera kryeministri.

Ndër përfaqësuesit më emblematikë të popullit në kuptimin historik të fjalës, ai veçoi edhe dy heronj të cilët sipas kryeministrit Kurti, janë të ngjashëm me dy heronjtë e përkujtuar sot, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, që janë shprehje e popullit tonë si një popull që nuk e duron shtypjen edhe padrejtësinë, që nuk e duron shfrytëzimin e pabarazinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë homazhit te varret e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

Përveç Kryeqeveritarit, homazhe tek varri i heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, ka bërë edhe Kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

Konjufca theksoi se vepra e tyre heroike ishte shkëndija e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se amaneti i tyre u bë i gjallë më 1998 kur mijëra djem e vajza u rreshtuan përkrah ushtrisë së lavdishme e cila përmbylli lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.

“Pa rënë me pushkë në dorë nuk vjen liria e Kosovës, mendoj që ky ka qenë amaneti më i rëndësishëm i Afrimit e Fahriut dhe gjithë heronjve e dëshmorëve të kombit”, ka thënë Konjufca.

Kryeparlamentari ka shtuar edhe se vepra e Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut dhe gjithë dëshmorëve të tjerë do të jetë frymëzim për brezin e tyre dhe brezat që do të vijnë.

Glauk Konjufca, gjatë homazhit te varret e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

Homazhe në vendin e rënies së dëshmorëve të kombit Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, ka bërë edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj me këtë rast ka thënë se Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu janë heronj të shquar të Lëvizjes kombëtare për çlirimin e Kosovës.

“Lëvizjet për liri të shqiptarëve janë të hershme edhe të pandalshme. Pjesëtarë të lëvizjeve për liri shumë të shquar janë pikërisht heronjtë që i nderojmë sot, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Ata janë brezi i hershëm i lëvizjeve për liri i luftëtarëve të cilët ranë me armë në dorë për çlirimin e Kosovës. Pa marrë parasysh se janë edhe prirës të përpjekjeve të atëhershme veçanërisht edhe pjesëtarë të lëvizjes kombëtarë për çlirimin e Kosovës, ne i nderojmë me respekt përjetësisht”, ka thënë ai.

Ramush Haradinaj, gjatë homazhit te varret e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore