Lajme

Kurti: Na janë vendosur masa, por me BE’në jam në kontakt – dje fola gjysmë ore me Borrell-in


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke folur para gazetarëve gjatë inspektimeve të fillimit të punimeve në rrugën Prishtinë-Podujevë, e ka pranuar se Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndaj Kosovës, por tha se po provon vazhdimisht që të ndryshojë situatën dhe vetëm të dielën që shkoi ka biseduar në telefon me përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Me Bashkimin Evropian, jam në kontakt të përditshëm. Dje kam biseduar në telefon afër gjysme ore me zotëri Josep Borrell, jam në kontakt edhe me Miroslav Lajçak. Jam i interesuar edhe për deeksalim dhe stabilizim të situatës”, pohoi Kurti.

“Është e vërtetë janë paralajmëruar masa të cilat edhe janë zbatuar disa prej tyre. Ju e dini që ushtrimi i madh në Defender Europe sidomos në Gjakovë kur kishim planifikuar ishte anuluar”.

Por, Kurti ka shpresë. Thotë se masat janë të përkohshme.

“Bëhet fjalë për masa të cilat janë të përkohshme, por që janë të padrejta”.

Megjithatë, përkundër situatës, ai thotë se në Kosovë s’duhet të merren veç me këtë pjesë, por edhe me atë që “deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk po i kalojnë kreditë dhe grante ndërkombëtare”.

“Ato kanë vlerë të përgjithshme prej 150 milionë euro”.

Prandaj, shtoi Kurti, “teksa po mërzitemi për masat e ardhshme të përkohshme, ne kemi një ngujim aktual të cilin do të mund ta largojmë shumë lehtë bashkarisht në Kuvendin e Kosovës”.

Kurti: 45 pjesëtarë janë identifikuar për sulme ndaj gazetarëve dhe pjesëtareve të KFOR-it

Sa për sulmet në Veri, kryeministri tha se janë identifikuar 45 pjesëtarë që kanë marrë pjesë në sulme ndaj pjesëtareve të KFOR-it, gazetarëve.

Sipas kryeministrit, qytetarët serbë janë më të frikësuar nga kjo situatë.

“Deri më sot janë identifikuar gjithsej 45 persona që kanë marrë në sulme dhunë kundër ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve duke përdorur armatim të rrezikshëm”.

Kurti, foli edhe për shpalljen organizata terroriste të grupeve kriminale “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”. Tha se ka fakte të panumërta për aktivitetin e tyre terrorist.

“Nëse ne nuk do t’i shpallnim këto organizata terroriste do të ishte shkelje”, pohoi.

Kurti: Jam i hapur për zgjedhje të reja – presidenti i Serbisë është penduar që ka thënë “po” për marrëveshje

Ndër të tjera, sipas kreut të ekzekutivit, më të frikësuar sesa qytetarët e Kosovës janë qytetarët serbë.

“Popullsia serbe atje është paqësore, por janë këta dhjetëra kriminalë të cilët dhunën e parë nuk e kanë bërë as me 26 maj dhe as me 29 maj por shumë më herët. Kurse, 45 prej të cilëve janë evidentuar saktë nga institucionet tonë nuk janë as minimumi i tyre”.

“Qytetarët serbë janë më të frikësuarit, e ne jemi më të brengosur. Nga ta ne njoftohemi me mesazhe të ndryshme që ata nuk frikësohen nga Policia e Kosovës, por përmes kërcënimeve të organizatave të cilat u shpallen terroriste”.

Nga këndvështrimi i situatës aktuale ai konsideron që presidenti i Serbisë, është penduar që ka thënë “po” për marrëveshjen e arritur në Ohër mes dy palëve.

“E për normalizim na duhet zbatim i menjëhershëm i marrëveshjes. Kjo marrëveshje duhet të zbatohet pasi sot nuk kemi zgjidhje, jo pse s’kemi marrëveshje, por se s’kemi zbatim. Është bindja e fuqishme nga takimet që kemi pasur që presidenti i Serbisë i ka rënë pishman që ka thënë “po” për marrëveshje”.

“Nervoza në Beograd që bëhet dhunë në Veri të Kosovës, vjen nga moszbatimi nga ajo që kanë thënë “po”.

Për zgjedhjet e reja, ai pohon se është i hapur, por vetëm në mënyrë që ato të jenë “demokratike dhe të lira”.

“Unë jam i hapur që zgjedhjet e reja t’i caktojmë sa më shpejt, por nuk mund të llogarisim në zgjedhjet e reja nëse do të ketë kërcënime sërish. Ju kam thënë edhe evropianëve dhe amerikanëve që të vijnë dhe të punojmë së bashku për të arritur zgjedhje të lira dhe demokratike”.

Ajo që veçse ishte paralajmëruar prej kohësh është bërë realitet – Kosova është futur për herë të parë në mesin e shteteve të pakta që janë nën sanksionet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa ashpërsia e të cilave parashihet të rritet varësisht rrethanave.

Sanksionet do të përfshijnë pezullimin e pjesëmarrjes së Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave blaterale nga BE-ja dhe vendet anëtare veç e veç, ndërsa takime do ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veriun e Kosovës.

Do të ketë edhe pasoja financiare për Kosovën dhe pezullim substancial të financimit nga ana BE-së në disa projekte për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të fondit investues për Ballkanin Perëndimor, derisa kryeministri Kurti të reflektojë dhe të ndjekë kursin e Perëndimit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë e kanë përjashtuar Kosovën nga stërvitjet ushtarake ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO-ja Defender Europe 23, duke e cilësuar këtë si masën e parë ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të moszbatimit të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore