Kosova

Kurti: Mungesa e përgjigjeve për vendndodhjen e personave të zhdukur rëndon normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi


Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur,

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten ka thënë se mungesa e përgjigjes për vendndodhjen e më shumë se 1 mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës ka rënduar jetën e familjeve e po ashtu edhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kurti në fjalimin e tij gjatë prezantimit të raportit vjetor 2023 të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka theksuar se çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës nuk është çështje statistike por problem kombëtar, shtetëror e humanitar.

“Mungesa e përgjigjes për fshatin dhe vendndodhjen e më shumë se 1 mijë e 600 personave të zhdukur, rëndon jetën e familjeve dhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe 24 vjet pas lufte, jetojnë në ankthin e pritjes. Shumë varre të hapura e të zbraztë anë kënd Kosovës që nuk i kemi më të dashurit tanë, janë dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë”.

“Jo vetëm personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktimat e këtij krimi të vazhdueshëm. Çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës nuk është çështje statistike por problem kombëtar, shtetëror e humanitar. Më shumë se 905 shqiptarë janë zhvarrosur nga varrezat masive të Batajnicës, Kizhevakut, Rudnicës dhe Petrovoselles”.

Sipas kreut të ekzekutivit, Serbia duhet të pranojë krimet e saj në Kosovë, krimet e kryera si pjesë e projektit gjenocidiale për zhvarrosje të shqiptarëve.

“Më 22 prill të këtij viti në Batajnicë u shënua Dita e Forcave të Armatosura, ku u organizuan stërvitje ushtarake. Nën poligonin e qitjes së policisë në Batajnicë në një varr masiv janë gjetur trupat e pajetë të 744 shqiptarëve të Kosovës. Trupat që u varrosën në Kosovë, më pas u zhvarrosën dhe u transferuan në Serbi për rivarrim në përpjekje për t’i fshehur dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës”.

“Midis atyre trupave ishin 46 anëtar të familjes Berisha, 14 prej tyre nën moshën 15 vjeçare. Mes tyre dy foshnje dhe një grua shtatzënë. Aty nuk është e vendosur ndonjë pllakë përkujtimore, thuajse asgjë nuk ka ndodhur aty. Serbia duhet të pranojë krimet e saj në Kosovë, krimet e kryera si pjesë e projektit gjenocidiale për zhvarrosje të shqiptarëve e të quajtur ‘Patkoi’”, u shpreh Kurti.

Më 10 nëntor, gërmimet e filluar në mëngjes nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në Tusuz të Prizrenit, kishin rezultuar me gjetje dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore që mund të iu përkasin viktimave të luftës që vazhdojnë të jenë në Listën e Personave të Zhdukur.

Çështja e personave të zhdukur është ngritur edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2020, por që nuk ka pasur ndonjë progres konkret.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13 mijë njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800 mijë u zhvendosën dhe rreth 1 mijë e 600 janë të zhdukur.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi.

Deri më tani nga Serbia në Kosovë janë kthyer rreth 1 mijë mbetje mortore.

Zhduket Marrëveshja për të Pagjeturit e luftës – komisionet s’u takuan asnjëherë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore