Kosova

Kurti: Lirohen katër nga pesë policët e mbajtur në Serbi


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se katër zyrtarë policorë të Kosovës, janë liruar ndërsa zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, vazhdon të jetë në mbajtje.

Lajmin e ka bërë të ditur Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, teksa po prezantoheshin vendimet.

“Tashmë katër zyrtarë policorë janë liruar, por zëvendësdrejtori i Policisë vazhdon të mbahet në burg”, tha Kurti.

Kurti, në fjalimin e tij gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, deklaroi se me ndalimin e qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare të Serbisë dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës, Serbia shkeli një sërë marrëveshjesh.

“Duke përfshirë marrëveshjen e korrikut të vitit 2011 për lëvizje të lirë të qytetarëve, marrëveshjen e nëntorit të vitit 2022 për lëvizje të lirë me karta të identitetit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshjen bazike të shkurtit të vitit 2023 në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh dhe fqinjësi të mire”, ka thënë Kurti.

Ai shtoi se ky veprim kujtoi veprimet e Millosheviç-it në vitet 1998-1999.

“Ndalimi dhe mbajtja arbitrare e pabazë dhe keqtrajtimi i qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë, vetëm e vetëm sepse e përdorin Serbinë si vend tranzit na risolli kujtimet e hidhura të Serbisë së Millosheviçit, duke na rikujtuar kështu se ajo mbetet e njëjta ngase udhëhiqet nga një ish vartës i tij”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar të mërkurën se pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare, të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi.

“MPJD dhe MPB janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe do t’iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja. Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, thuhet në njoftim.

Paraprakisht, Fatmir Haxholli, sekretar i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, nëpërmjet një postimi në “Facebook” tha se mbi 300 qytetarë të Kosovës janë bllokuar në Serbi në pikëkalimin kufitar me Kroacinë, derisa shtoi se kjo lëvizje absurde e autoriteteve serbe erdhi në shenjë hakmarrjeje ndaj votimit në favor të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Haxholli njoftoi ndër të tjera se autoritetet serbe ua kanë marrë pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit qytetarëve kosovarë, ndërsa e cilësoi shkelje flagrante të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi për lirinë e lëvizjes dhe njohjen e ndërsjellë të dokumentacioneve nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore