Kurti kujton vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën: Aktiviteti i tyre ishte për çlirimin e Kosovës

SHFLETO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

 

Altina Marmullaku
17.01.2023 14:04
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 41 vjetorin e rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvllës dhe Kadri Zekës.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, kryeministri ka theksuar se të gjitha aktivitetet e tyre u bënë për të jetuar në një Kosovë të lirë.

“Por ky nuk është vetëm një dialog letrar, sepse ky tregim rrëfen një ngjarje të vërtetë historike. Si sot, plot 41 vite më parë, më 17 janar 1982, shërbimi sekret i Jugosllavisë vrau në Untergrupenbach pranë Heilbronnit në Gjermani, Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën”.

“Arsyeja e këtij atentati kriminal të autoriteteve të Serbisë, ishte aktiviteti i tyre për më shumë liri, për liri të plotë për shqiptarët, për çlirimin e Kosovës, për Republikën e Kosovës!”, ka shkruar kryeministri.

Kreu i ekzekutivit, tutje ka kujtuar edhe profilin e personalitetit të Gërvallës.

“Profili i Jusuf Gërvallës është ai i një personaliteti kompleks, i një gazetari dhe aktivisti, i një poeti dhe këngëtari, si dhe i një patrioti që formimin e tij intelektual e përktheu në aktivitet politik, thellësisht politik. Ashtu siç edhe ai i Kadri Zekës, gazetarit dhe poetit, që artikuloi edhe në teza politike aktivitetin e tij dhe të shokëve të tjerë, në organizatat politike ilegale të kohës”.

Kurti tutje ka thënë se ky nuk është vetëm një “dialog letrar”, sepse tregimi rrëfen “një ngjarje të vërtetë historike”.

“Si sot, plot 41 vite më parë, më 17 janar 1982, shërbimi sekret i Jugosllavisë vrau në Untergrupenbach pranë Heilbronnit në Gjermani, Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën. Arsyeja e këtij atentati kriminal të autoriteteve të Serbisë, ishte aktiviteti i tyre për më shumë liri, për liri të plotë për shqiptarët, për çlirimin e Kosovës, për Republikën e Kosovës!”.

Ai tutje ka potencuar se ata vazhdojnë të jetojnë mes nesh, përmes veprave të tyre.

“Jusufi na ka lënë shumë këngë bashkë me vëllain e tij Bardhoshin që ende dëgjohen dhe këndohen, siç na ka lënë dhe një trashëgimi letrare origjinale që vazhdon të lexohet dhe studiohet. Por mbi të gjitha, ai i ka lënë trashëgimi historisë moderne të Kosovës dosjen e tij, që nuk është vetëm dosja e vetë Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut”.

“Por është edhe dosja e një kohe kur Serbia shtypte dhe diskriminonte shqiptarët mbi baza etnike, burgoste, përndiqte dhe vriste ata që kishin guxim qytetar dhe vullnet politik për të kundërshtuar politikat e saj dhe për t’u ngritur kundër gjendjes së shqiptarëve në Jugosllavi”.

“Lavdi Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, mes dëshmorëve që vepruan deri në vdekje për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar kryeministri.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufca janë pritur të martën nga e bija e heroit Jusuf Gërvalla, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, në votrën e tyre, në Dubovik.

Osmani gjatë kësaj vizite ka thënë se edhe liria e Kosovës ka emrin e tyre.

“Liria mbanë edhe emrat e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, kurse ne mbajmë të skalitur emrat e tyre jo vetëm në kujtesë, por edhe si referencë se si një jetë e tërë vihet në shërbim të atdheut!”.

Si kryeministri edhe Osmani, e ka përshkruar personalitetin e Gërvallës, si artist e patriot.

“Jusufi ishte jo vetëm një zë i veçantë në letërsi, gazetari e muzikë, por mbi të gjitha zëri i të vërtetës dhe lirisë sonë! Ai lindi artist, veproi si patriot e vdiq si hero. Gërshetimi i këtyre tri tipareve e shndërroi Jusufin në një personalitet poliedrik, një ikonë të kohës, një patriot që ëndrrën për liri e projektoi herët”.

Më 24 shkurt të 2002, në Kosovë, u rivarrosën me nderime Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, eshtrat e të cilëve u sollën nga Gjermania, ku ishin vrarë 20 vite më parë.