Lajme

Kurti kritikon propozimin e opozitës për ulje të TVSH-së, Abdixhiku kërkon zgjidhje


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur shumë kritik për propozimet e opozitës për ulje të TVSH-së dhe akcizës për tre muaj me mundësi për tre të tjerë.

Sipas Kurtit, “populli nuk jeton veç tre apo gjashtë muaj”.

“Këto propozime tregojnë gjithashtu se e keni të huaj vizionin dhe planifikimin. Nuk jeton populli veç tre muaj apo gjashtë muaj. Shumë shtete që kanë bërë ulje të TVSH-së apo akcizës, janë penduar kur ka kaluar ai afat. Është e nevojshme të ndihmohen shtresat e nevojshme, pa e dëmtuar buxhetin. 3+3 është shprehje e mungesës së idesë”, deklaroi Kurti

Kreu i ekzekutiviet përgjigje pati edhe ndaj kritikave të opozitës për mosveprim në ulje të çmimeve të produkteve në vend.

“Nga opozita e dëgjova vetëm një numër 3+3. Kaq është propozimi juaj. Është hamendësim, përsiatje. Taksat edhe mund të hiqen, por është gabim. Është dëm. Do ta kuptoja po që se është i brengosur për tatimet nëse ka korrupsion në qeverisje. Po të kishte skandale të përditshme si në qeverisjet e kaluara, qytetarët do të thoshin pse të paguajmë taksa”.

Sipas tij, qytetarët me qef paguajnë taksat në këtë qeverisje.

“Por në këtë qeverisje të mirë që ekziston në Republikën e Kosovës qytetarët me qejf paguajnë taksa. Duhet të jeni të gëzuar se çka bëhet me ato taksa. Lehona ka pasur edhe kur keni qenë ju në Qeveri. Ku keni qenë? Shtesat për fëmijë: Fëmijë ka pasur, po s’i keni pa. Në Kosovë jetohet me shumë më shumë dinjitet edhe sepse ka politika sociale edhe për shkak se Qeveria nuk vjedh si dikur”, ka deklaruar Kurti.

Ndërsa, Abdixhiku ka thënë se thuajse të gjitha vendet e Bashkimit Evropian e kanë përdorur praktikën e 3+3-shit, sepse siç thotë i pari i LDK-së, nuk dihet çfarë do të ndodhë me luftën në Ukrainë.

“Kompleksiteti dhe ndërlikueshmëria e bëjnë problemin më të madh. Sot, naftën e ke caktuar të jetë 1.89 euro dhe je duke i marrë 60 centë TVSH e akcizë. Ti mund të vendosesh ta heqësh TVSH-në e akcizën, dhe nafta mund të jetë 1.39 euro”.

Kuvendi i Kosovës.

Ai ka kërkuar nga shefi i ekzekutivit që të mos komplikojë çështja e thjeshta, teksa i kërkoi edhe propozime nga qeveria e tij.

“Pse po e komplikon një gjë të thjeshtë? Tatimi është i njëjtë, por barra më e madhe. Tash nafta është bë 1.89, je t’u marrë më shumë, pa nevojë. Po flasim për lëndën e parë. Shtrenjtohet nafta 10 centë, shtrenjtohen qindra produkte të tjera dhe nuk mund t’i luftosh”.

“Dhe 3+3 sepse të gjitha vendet e BE-së e kanë bërë një gjë të tillë. Ne nuk e dimë a do të përfundojë lufta, çfarë do të ndodhë. Jepeni ju një propozim. Këtu është Kuvendi, këtu është vendi”, deklaroi Abdixhiku.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ableard Tahiri, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që ta ndërrojë ministrin e Financave.

Sipas tij, kuletën e shtetit ia ka lënë një personi të papërgjegjshëm.

“Është e rëndësishme për kryeministrin ta kuptojë që e ka një ministër të Financave që se din që nuk din. Krejt debati që e thërrasim për financa ky e shndërron në debat politik. Ky veç me numra nuk flet”, ka thënë Murati.

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka kritikuar ministrin e Financave, Hekuran Murati , për deklaratat e tij lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore