Lajme

Kurti krahason mesazhin e tifozëve serbë ndaj Kosovës me “katalizatorin” e luftërave në ish-Jugosllavi


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, ka komentuar koreografinë nacionaliste dhe luftënxitëse të tifozëve të klubit futbollistik serb “Ylli i Kuq (Crvena Zvezda)” të shfaqur të mërkurën në Beograd, me katalizatorin e luftërave në ish-Jugosllavi para më shumë se tridhjetë vjetëve.

Kreu i ekzekutivit kosvar ka thënë se “thirrjet për dhunë janë të pandërprera” që prej 13 majit të vitit 1990 – atëherë kur tifozët serbë të “Yllit të Kuq”, nën drejtimin e kriminelit të paditur nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe udhëheqësit paraushtarak, Zheljko “Arkan” Raznatoviç, shkaktuan trazira në Kroaci.

“Në vitin 1990, tifozët e klubit serb të futbollit Crvena Zvezda, të udhëhequr nga mafiozi serb i paditur nga ICTY, Arkan, u revoltuan kundër Kroacisë. Për disa, kjo ishte një shkëndijë e luftërave që pasuan. Dje Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të pandërprera”, shkroi kryeministri Kurti në llogarinë e tij.

Në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990, nacionalizmi ishte bërë ideologjia dominuese e grupeve të ndryshme të tifozëve, përfshirë ato të klubeve më të mëdha serbe dhe kroate. Një shembull i tillë është ndeshja e 13 majit të vitit 1990 në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit midis klubit futbollistik “Ylli i Kuq” i Serbisë dhe “Dinamo Zagreb” i Kroacisë.

Në histori njihet si një nga ngjarjet që shënuan dhe simbolizuan fillimin e fundit të Jugosllavisë së Josip Broz Titos. Për shumë futbollistë dhe qytetarë, kjo ngjarje ishte shkëndija që ndezi flakën në rajon. Ngjarjet e 13 majit 1990, jo vetëm që ishin konsideruar si shenjë paralajmëruese e asaj që do të pasonte, por në fakt si fillimi simbolik i luftës.

Lufta e njëmendtë natyrisht nuk filloi në “Maksimir”, por epilogu i kësaj loje të pafund futbollistike ka qenë një përplasje masive midis tifozëve serbë “Delije” dhe atyre kroatë ” Bad Blue Boys”. Trazirat përshpejtuan procesin e shpërbërjes, ndërsa futbolli – falë shprehjes “Lufta filloi në Maksimir”, lexohej si një faktor i pashmangshëm në shpjegimet e krizave jugosllave.

Ndryshe, tifozët serbë të “Yllit të Kuq”, para fillimit të një ndeshjeje miqësore ndaj ekipit italian “Fiorentina” në Beograd, kanë shfaqur imazhin e një automjeti ushtarak me simbole serbe ku shkruhej: “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”. Edhe në të kaluarën ka pasur mesazhe urrejtje kundër shqiptarëve, ndërsa thirrjet nacionaliste dhe serbe sikurse “Kosova është zemra e Serbisë” gjejnë ende mënyra për t’u shfaqur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore