Kosova

Kurti: Kosova është kampione në rajon për demokraci e sundim të ligjit


Albin Kurti

Sipas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, vendi që ai udhëheqë është “kampion” në rajonin e Ballkanit Perëndimor për progres në demokraci dhe jo vetëm.

Këto komente, Kurti i ka bërë në pritjen shtetërore në nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, të mërkurën.

“Kosova është kampione në Ballkanin Perëndimor për progres në demokraci dhe në sundim të ligjit, për respektim të të drejtave të njeriut dhe luftim të korrupsionit, tha Kurti.

Kryeministri theksoi se ekonomia e Kosovës, apo bruto produkti vendor, “sivjet do të jetë 5 herë e gjysmë sesa në vitin 2000, gati tri herë më i madh se në vitin e shpalljes së pavarësisë 2008, dhe 50 për qind më i lartë sesa para 4 vjetëve”.

“Çlirimi i vendit, shpallja e pavarësisë dhe qeverisja e mirë ia kanë vlejtur fort për demokracinë qytetare dhe njashtu për rritjen ekonomike”, shtoi.

Në ditën e çlirimit, kryeministri pohoi se kujton dhe nderon të gjithë ata që kontribuuan për liri, “por edhe festojmë arritjet e lirisë”.

“Kosova çdo herë e më shumë po lartësohet në arritje në sport e në kulturë që na kanë vendosur në hartën botërore të sukseseve”, deklaroi ndër të tjera Kurti.

Ndryshe, çlirimi përfundimtar i Kosovës ka ndodhur më 12 qershor të 1999.

Kjo kishte ardhur pasi që kishte hyrë në fuqi Marrëveshja e Kumanovës, ku Serbia kishte nënshkruar kapitullimin.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje kishte nisur edhe tërheqja e forcave serbe nga Kosova.

Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.

Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua edhe kthimi në Kosovë i më shumë se 800 mijë refugjatëve që ishin larguar dhunshëm nga regjimi serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore