Kosova

Kurti kërkon mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësim në Kartën e Adriatikut


Pirro Vengu dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten ka takuar Ministrin e Mbrojtjes të Shqipërisë, Pirro Vengu në ndërtesën e Qeverisë së Kosovë, ku ndër të tjera ka kërkuar nga ky i fundit mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut Karta e Adriatikut (A-5)- njëra nga nismat kryesore rajonale në fushën e sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore, duke ndihmuar kështu qëllimin e shteteve anëtare për të arritur integrimin në NATO dhe BE.

“Kryeministri Kurti nënvizoi mbështetjen e Shqipërisë edhe për anëtarësimin e Kosovës si anëtar me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut (A-5), ku Shqipëria është edhe kryesuese këtë vit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës pas takimit.

Kurti, siç thuhet në komunikatë, e ka falënderuar Shqipërinë për mbështetje dhe për raportet vëllazërore.

“Vuri theksin veçanërisht edhe në thellimin e bashkëpunimit mes ministrive tona të mbrojtjes. Nga marrëveshjet e arritura si ato për lehtësimin e procedurave të kalimit tranzit të mallrave ushtarake për qëllime dhe nevoja të dyanshme dhe marrëveshja mbi fushën e mjekësisë ushtarake, deri tek rëndësia e aspektit të trajnimeve, ushtrimeve të përbashkëta, bashkëzbarkimit në misione paqeruajtëse dhe operacione ndërkombëtare si pjesë e një kontingjenti dhe investimet e përbashkëta në industrinë e mbrojtjes”.

Vengu gjatë qëndrimi në Kosovë takoi edhe ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedoncin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore