Kosova

Kurti kërkon gjuhë të përbashkët për agjendën legjislative – Krasniqi synon ta bindë për zgjedhje të parakohshme


Memli Krasniqi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë ftesë liderëve të partive opozitare në vend për t’u takuar të hënën, në një përpjekje për të përmbushur agjendën e mbetur legjislative, por ftesës i është përgjigjur pozitivisht vetëm kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i cili e konsideroi si mundësi për caktimin e datës për zgjedhje të reja.

Ftesës së kryeministrit Kurti nuk i janë përgjigjur në pozitivisht kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, por as kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili konsideroi se tema e përcaktuar për mbledhjen mes partisë në pushtet dhe opozitës bjen në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare.

“Unë jam i vetëdijshëm se subjekti juaj opozitar ka rezervat e veta për pjesëmarrje në procesin e votimit në Kuvendin e Republikës, por besoj pozitivisht se kjo nuk e parandalon pjesëmarrjen tuaj dhe diskutimin tonë të përbashkët për të shqyrtuar mundësitë e reja rreth përmbushjes së agjendës së mbetur legjislative për sesionin pranveror”, theksoi shefi i qeverisë.

Megjithatë, ftesës së kreut të ekzekutivit kosovar i është përgjigjur pozitivisht vetëm partia më e madhe opozitare. Megjithatë, kjo parti e qartësoi menjëherë se takimi do të jetë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja” për shkak të “krizës në çdo fushë” në kohën kur kryeministri Kurti ka hyrë në vitin e katërt të mandatit qeverisës.

“Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, u shpreh PDK-ja.

E refuzimi i LDK-së erdhi për shkak se e konsideroi “të vonuar” ftesën e kryeministrit nën argumentin se partia në pushtet e ka “shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit” dhe ka “mbjellë polarizim ofendues”. Një vlerësim tjetër e artikuloi AAK-ja. Nga kjo e parti e vogël argumentuan se tema e përcaktuar “bjen në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore