Lajme

Kurti: Kemi rritur pagat në sektorin publik dhe kemi mbështetur rritjen e pagave për punëtorët e sektorit privat


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Edhe pse nga 45 për qind sa ka qenë shkalla e papunësisë në vitin 2008, ajo ka rënë në afro 17 për qind në tre mujorin e parë të vitit 2022 sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sërish konsideron se qeveria të cilën ai e udhëheq ka ndërmarrë një sërë hapash.

Duke përfshirë vendime e iniciative ligjore që prekin “direkt jetën e punëtorëve”.

“Si qeverisje e re kemi ndërmarrë një sërë hapash, vendimesh e iniciativash ligjore që prekin direkt jetën e punëtorëve. Kemi hartuar dhe dërguar në Kuvend Projektligjin për Pagën Minimale, ligj që presim që Kuvendi ta miratojë sa më parë”.

Kryeministri ka sqaruar se për zbatimin e ligjit të punës është ndarë buxhet shtesë.

“Me qëllim shtimin e inspektimeve për zbatim sa më të mirë të ligjit të punës është ndarë buxheti për të shtuar numrin e inspektorëve në terren. Ndërkohë që në buxhetin e këtij viti kemi paraparë 240 inspektorë shtesë në sektorë të ndryshëm”, ka shkruar ai.

“Gjatë këtyre dy viteve qeverisje kemi ndërmarrë masa që nxisin punësimin me theks të veçantë punësimin e grave dhe të rinjve. Me masën 1.3, rreth 5 mijë gra më shumë janë punësuar, ndërkaq përmes platformës ‘Superpuna’ kemi mbështetur punësimin e të rinjve, me ç’rast nga muaji shkurt janë realizuar 4501 marrëdhënie pune përmes kësaj platforme (deri në çastin e këtij postimi”.

Edhe pse nga opozita u kërkuar rritje e pagave si për sektorin publik edhe atë privat, Kurti shprehet se pagat janë rritur në Kosovë përmes pakove të ndërmarra nga ekzekutivi.

“Po ashtu, kemi rritur pagat në sektorin publik dhe përmes pakove të ndërmarra nga Qeveria kemi mbështetur rritjen e pagave për 17 mijë punëtorë të sektorit privat”.

“Punësimi ka qenë njëri prej prioriteve tona kryesore dhe së bashku me të esenciale janë edhe të drejtat në punë. Në këtë drejtim në vitin e kaluar janë bërë 6316 inspektime nëpër biznese që synim kanë pasur monitorimin e respektimit të Ligjit të Punës dhe ligjeve të tjera në fuqi. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë shqiptuar 153 gjoba për mosrespektim të këtyre ligjeve”.

Teksa ka potencuar se akoma janë duke punuar që shkeljet e të drejtave në punë të ulën.

“Kosova ka vuajtur edhe nga papunësia edhe nga shkelja e të drejtave në punë. Jemi duke u përpjekur që krahas zgjerimit të punësimit, të eliminojmë në maksimum shkeljet e të drejtave në punë”.

“Jemi të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën e kemi gjetur punëtorin, por do të vazhdojmë të jemi të pakompromis në rregullimin e kushteve të punës dhe respektimin e të drejtave të tij të garantuar me Kushtetutë”.

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës.

Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Lufta kishte prodhuar largimin më të madh të shqiptarëve nga Kosova. Atëherë më shumë se opsion ishte detyrim.

Paslufta ktheu njerëzit, por jo edhe dëshirën për të qëndruar. Problemet e shumta i panë kosovarët duke provuar alternativa nga më të ndryshmet për të lënë vendin.

Papunësia, pagat e ulëta, shkollimi i dobët, çmimet e larta, mosvlerësimi i duhur këto ishin vetëm disa nga arsyetimet kur qytetarët pyeteshin përse po largohen.

Të njëjtat arsyetime vazhdojnë edhe sot.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore