Kosova

Kurti: Kemi nisur qepjen e thesit të shqyer


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një takimi që ka zhvilluar me struktura të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Gjilan deklaroi se përmes vettingut kanë nisur “qepjen e thesit të shqyer”.

Ndërsa, theksoi se populli është më i gatshëm të paguajë tatim kur e dinë që nuk vjedh qeveria.

“Pra, si mund t’ia kërkosh një biznesi tatimin paradite kur lajmet në mbrëmje kanë treguar skandalet prej kryeministrit deri tek shumica e ministrave, kështu ka ndodhur në të kaluarën. Askush nuk ka qejf me qitë sene në një thes që është i shqyer”, tha Kurti gjatë këtij takimi.

Ai madje e krahasoi këtë rast me përvoja jetësore.

“Qysh donë me e qit t’i sendin në një thes të shqyer, bile bile e dimë prej përvojës jetësore kur shtimë sene në thes së pari e këqyrim a është i shqyer. Tash populli e ka pa që ne jemi duke e qep thesin, se që ka qenë i shqyer kjo nuk ka dyshim, po jemi duke e qepur thesin”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë takimit në Gjilan.

Ndërsa, shpjegim interesant, kryeministri Kurti ka pasur edhe për rëndësinë e rezervave shtetërore, të cilat tha se që dy herë që bëhet kryeministër i gjen të zbrazëta.

“A dinë si i bie kjo çfarë kanë bërë qeveritë e mëhershme, është sikur me shti dru në koftor e nuk ki dritare hiç. Ti djeg dru, por temperatura që është jashtë të hyn brenda menjëherë, se nuk ki dritare”.

Kurti shtoi se, “Shteti është shtëpia e popullit, duhet me ja qitë dritaret. Në kuptimin ekonomik rezervat shtetërore e kanë funksionin e imunizimit të ekonomisë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte deklaruar se njëra ndër shtyllat e shtetit funksional është sundimi i ligjit dhe drejtësia efikase.

Mirëpo, kundër kësaj kanë dalur Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Këto dy trupa, më herët kanë shprehur shqetësimin me gjuhën, sipas tyre fyese të Qeverisë ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën e 13 tetorit ka miratuar koncept dokumentin për vetting-un në drejtësi përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.

Vettingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Për vite me radhë, institucionet e Kosovës kanë tentuar që të nisin procesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore