Kosova

Kurti: Kemi nevojë për më shumë studime shkencore për të mësuar atë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar nevojën që të ketë më shumë studime shkencore për atë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

“Historia dhe trashëgimia e luftës në Kosovë, kanë aq shumë nevojë për t’u studiuar, hulumtuar dhe për t’u shkencëruar. Ngase ne si shoqëri dhe si shtet, kemi nevojë për diskurse të mirëfillta shkencore dhe për narracione sa më të plota dhe të vërteta historike për luftën tonë”.

“Kemi nevojë për shumë studime shkencore dhe gjithashtu për botime akademike për gjithë çfarë ka ndodhur gjatë gjithë luftës në vendin tonë: për viktimat e luftës, për luftëtarët e lirisë, për dëmet e luftës, për kujtesën kolektive të luftës, për gjykimet për krime të luftës, për masakrat dhe për gjenocidin”.

Kreu i ekzekutivit, në fjalimin e tij në konferencën shkencore për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe Çlirimit të Kosovës: ‘’Një çerek shekulli shtetndërtim, sfida dhe arritje- qasje multidisiplinare”, tha se 25 vjet më parë ishin shuar edhe shpresat e politikës serbe për ta zbrazur Kosovën.

“Sikur sot një çerek shekulli më parë, më 10 qershor 1999 NATO i dha fund fushatës së bombardimeve mbi Jugosllavi pas 78 ditësh bombardimeve. Në Nju Jork Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244 me të cilën autorizonte vendosjen e një force ushtarake e civile në Kosovë”.

“Me këtë u shuan edhe shpresat e politikës së shtetit të Serbisë që plani I tyre i gjenocidit përmes operacionit ‘patkoi’ të kishte të paktën pjesërisht sukses për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët vendas”, ka thënë Kurti.

Madje, sipas tij, tashmë është koha e duhur që shkrimet e tyre të bëhen edhe “më akademike” edhe “më shkencore”.

“Tani që po bëhen 25 vjet nga lufta e Kosovës, kur një brez i tërë i lindur pas luftës është rritur dhe mataruar, është koha e duhur që diskutimet dhe debatet tona, hulumtimet dhe studimet tona, shkrimet dhe botimet tona, të shkojnë secilën herë e më shumë duke u bërë më akademike dhe më shkencore, më konceptuale dhe më teorizuese”.

Nga ato që kishte përjetuar Kosova, Kurti tha se “vite të tëra do ta prisnin Kosovën përpara kah e ardhmja, si vite të kthimit dhe të rindërtimit, dhe më pas si vite të pavarësimit e të shtetndërtimit”.

Kosova, më 12 qershor shënon 25-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Ndërsa mbi 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore