Kosova

Kurti: Ka shumë muaj që s’jam takuar me OVL-në për shkak se ekziston një mospajtim i thellë


Albin Kurti dhe Ganimete Musliu.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka pyetur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti rreth pensioneve dhe të ardhurave për kategorinë e veteranëve.

Musliu nga Kurti, kërkoi sqarim se kur ka qenë takimi i fundit që ka zhvilluar kryeministri me veteranët.

Kryeministri është përgjigjur duke thënë se, “është shumë e vërtetë që ka shumë muaj që nuk jemi takuar me Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për shkak se ekziston një mospajtim i thellë”.

Ai tutje ka sqaruar se për pastrimin e listës së veteranëve akoma s’ka asnjë rezultat dhe kjo vetëm për shkak të “mospajtimeve” mes dy palëve.

“E kemi diskutuar mbi mundësitë që kemi për të gjetur një zgjidhje për sa i përket pastrimit të listave për ata që me të vërtetë dhanë shumë për vendin tonë dhe çlirimin. Ne e kemi dhënë propozimin tonë që procesi t’i nënshtrohet riverifikimit përmes një ligjit të ri, i cili do të siguronte integritetin e procesit, por edhe saktësinë e rezultatit”.

“Deri tani nuk kemi ndonjë indikacion që propozimi ynë është pranuar, madje ka pasur edhe deklarime kundër tij. Në anën tjetër ne e kemi të pamundur për të lëvizur në kuadër të ligjit të ri aktual në fuqi, sepse siç e dini kemi një proces zgjedhor që është në zhvillim të sipërm”.

Ai tutje ka thënë se kur nuk ka pajtim s’mund të ketë as rrugë të zgjidhjes.

“Atëherë kur nuk ka pajtim, mungon puna sepse s’ka dakordim paraprak për rrugën që duhet të ndjek. Deri sa e kemi kuptuar që ekziston një mospajtim i thellë që është në kundërshtim me vizionin tonë qeveritar dhe me atë se si e shohim ne rrugën përpara”.

Më 22 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me Faton Klinakun, nga organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte paralajmëruar pastrimin e listës së veteranëve të UÇK-së.

Sipas Kurtit në Kosovë, nuk janë 60 mijë veteranë të UÇK-së ashtu si janë regjistruar vite më parë, por 20 mijë persona dhe se “deformimet” e tilla duhet të mënjanohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore