Lajme

Kurti: Ka nisur amandamentimi i Ligjit për personat e zhdukur


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “ka filluar procedura e amandamentimit të Ligjit për personat e zhdukur dhe se pritet të shkojë në Kuvend brenda vitit 2021”.

Kështu është deklaruar Kurti gjatë takimit të tij me Kryesinë e Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Zhdukur në Kosovë.

Një ditë para 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, kryeministri Kurti ka theksuar se vazhdon të insistojë në hapjen e arkivave dhe gjetjen e varrezave masive ku dyshohen se janë fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

“Kryeministri Kurti e njoftoi Kryesinë e Këshillit për insistimin e tij të vazhdueshëm në çdo takim me zyrtarë ndërkombëtarë dhe në takimet me zyrtarët e lartë të Serbisë për hapjen e arkivave dhe nxjerrjen e informatave edhe për vend varrezat e tjera në Serbi”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Në anën tjetër, Kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Zhdukur të Kosovës, Ahmet Grajçevci, ka shprehur përkrahje ndaj kryeministrit Kurti për angazhimin dhe prioritetin që ia ka dhënë çështjes së personave të zhdukur në takimet që ka pasur me presidentin e Serbisë në Bruksel.

“E konsiderojmë shumë të drejtë kërkesën e kryeministrit Kurti për hapjen e arkivave të Serbisë sepse krimet që kanë kryer forcat serbe të sigurisë në Kosovë, janë bërë me urdhër komandues dhe bartja e fshehja e kufomave është administruar nga shteti serb”, ishte shprehur Grajçevci.

Po ashtu, Kryesia e Këshillit kanë thënë se e përkrahin plotësisht kërkesën e Kurtit për largimin e Veljko Odalloviçit nga udhëheqja e Komisionit Qeveritar të Serbisë për të Zhdukurit.

Sipas tyre, Odalloviçi si ish-zyrtar i lartë i Serbisë në Kosovë “ka njohuri për vendndodhjen e varrezave, por nuk është treguar konstruktiv në bashkëpunim”.

Në takim ishin të pranishëm edhe kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, Furtuna Sheremeti dhe këshilltarja ligjore e kryeministrit, Tea Blakaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit të tij me Kryesinë e Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Zhdukur në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore