Shqipëria

Kurti: Jemi të shpërqendruar, duhet ta gjejmë thirrjen e përbashkët


“Le të flasim pra si diplomatë, por të veprojmë si patriotë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij të parë në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Shqipëri-Kosovë, ka ravijëzuar rishtazi rëndësinë e të vepruarit si patriotë mbi bashkëpunimin e dy vendeve, në një thirrje të tij për gjetjen e thirrjes së përbashkët të faktizimit të marrëveshjeve.

“Të thuash se jemi të lumtur se jemi një komb i ndarë, do të ishte marrëzi”, tha Kurti. “Po ashtu, edhe të thuash se jemi dy shtete të ndara”.

Sipas kreut të Qeverisë së Kosovës, në politikën e sotme, të flasësh për bashkim kombëtar, është nacionalizëm. Nga ana tjetër, të flasësh për integrim në bashkësinë e madhe të Bashkimit Evropian, është diplomaci.

“E meqë këta të fundit duket të kenë më shumë sukses sot, le të flasim si diplomatë, por të veprojmë si nacionalistë”, bëri thirrje ai.

Sipas Kurtit, kur flitet për Shqipërinë në Kosovë, ka një ndrydhje të ndjenjave. Kjo, si pasojë e një traume pas ndryshimit të simboleve – për të cilën nuk u lejua një debat.

Mbi këtë premisë, ai parashtroi faktin se duhet unifikim. Dhe se ky unifikim, ky njëhsim, do të jetë ai, i cili do ta bëjë Shqipërinë e Kosovën më të fortë.

“Bashkëveprimi ynë është strategjik. Marrëveshjet duhen shoqëruar me cilësinë e tyre të zbatimit. Ato janë me rëndësi ekonomike dhe historike. Patriotizëm sot është të luftosh korrupsionin, lirinë e mediave, gjyqësor të pavarur, drejtësi gjithëpërfshirëse. Vetëm ky lloj patriotizmi, do të sjellë jetë më të mira për qytetarët”.

Kështu e përmblodhi Kurti mendimin e tij mbi marrëveshjet e arritura.

Një pikë shumë me rëndësi, është ajo e ngritjes së hekurudhës Durrës-Prishtinë.

Për Kurtin, kjo linjë nuk është thjesht lehtësuese e lëvizjes dhe ekonomisë. Ajo ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve të portit kryesor në Shqipëri. Po ashtu, duhet parë edhe si zgjedhje gjeopolitike me rëndësi, për të fuqizuar pozitat e Shqipërisë në rajon.

Në fjalën e tij, Kurti nuk harroi as të përkujtonte përvjetorin e tërmetit të 26 nëntorit 2019, i cili goditi Shqipërinë dhe shkaktoi vdekje e dëme të shumta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore