Kurti: Jemi gati për hapjen e Urës së Ibrit, por po e presim QUINT-in e KFOR-in

Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti.

Dini Fetahu
10.09.2024 16:38
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria është e gatshme për hapjen e Urës mbi lumin Ibër, por ka shtuar se po presin misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe QUINT-in – të cilët vazhdimisht e kanë kundërshtuar një veprim të tillë deri më tani.

Këto komente, Kurti i ka bërë në një prononcim për gazetarë nga Veriu, pasi që ka vizituar atë pjesë të Kosovës të martën, ku ka vënë gurthemelin e një stacioni policor në Leshak të Leposaviqit dhe ka qëndruar në Mitrovicë të Veriut.

“Po vazhdojnë konsultimet dhe koordinimet, por Qeveria me të gjitha dikasteret e saj është e gatshme që ta bëjë hapjen, po i presim QUINT-in e KFOR-in. Ne i kemi kryer punët tona, kemi bërë përgatitjet sa i përket pastrimit, mjedisit rrotull aty, edhe vlerësimit të qëndrueshmërisë në aspektin fizik dhe teknik”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka theksuar se ka kaluar bukur kohë që raporti preliminar thotë se ura është e qëndrueshme, derisa ka insistuar që ura kryesore në Mitrovicë të hapet për qarkullim të automjeteve.

“Besoj ajo urë duhet të hapet edhe për automjete sepse liria e lëvizjes, sundimi i ligjit dhe marrëveshja në Bruksel e kërkojnë një gjë të tillë”, shtoi.

Gjatë vizitës së kreut të ekzekutivit në Veriun e banuar me shumicë serbe u arrestua lideri i Demokracisë Serbe, Aleksandër Arsenjijeviç, për shkak se i njëjti fishkëlleu kundër prezencës së Kurtit.

Por, Kurti, i cili u shoqërua nën masa të rrepta sigurie gjatë vizitës në Veri, ka thënë se nuk ka ndjerë që njerëzit atje nuk e pëlqejnë dikë që vjen nga Prishtina, qoftë edhe kryeministri.

“Mendoj se qytetarët janë të qetë. Ata duan liri dhe siguri. Unë jam këtu për mirëqenien e tyre. Funksioni im nuk është të ndaj gjërat sipas përkatësisë etnike, fetare apo çfarëdo qoftë, por të jem këtu për të gjithë pa diskriminim dhe privilegj”, potencoi.

Sa i përket paralajmërimit të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se shteti që ai udhëheqë do të marrë “masa serioze” për, siç pretendoi ai, të mbrojtur popullin serb në Kosovë, Kurti nuk e ka komentuar.

“Ju e dini që unë nuk parapëlqej t’i komentoj lajmet e lërë më paralajmërimet”, pohoi kryeministri.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, është duke insistuar në hapjen e plotë të urës që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut, pasi që aktualisht shfrytëzohet vetëm për këmbësorë.

Nga ana tjetër, vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimin Evropian (BE), kanë kundërshtuar hapjen e urës në këto momente, derisa kanë kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit.

Të fundit

Aktuale