Kosova

Kurti ia thotë edhe von Cramon-it: Zgjedhjet në veri ishin shtyer njëherë, tash duhet ofruar shërbime për qytetarë


Albin Kurti dhe Viola von Cramon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielen ka takuar Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, me të cilën, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, bisedoi për procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe për procesin pas-zgjedhor në katër komunat në veri të vendit.

Kurti, siç tregon komunikata, rikujtoi se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit – Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – ishin shtyer një herë në dhjetor dhe se tani pas mbajtjes së tyre me 23 prill, me rëndësi është që të fillohet sa më parë me ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët.

Ndërkaq, për sa i përket procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Zbatimit të saj (Ohër, 18 mars), kryeministri Kurti përsëriti që duhet “zbatim i shpejtë, i plotë dhe i pakushtëzuar”.

“Kryeministri shtoi që është kënaqësi të pres znj. Cramon në takim në këto kohë të rëndësishme dhe e falënderoi atë për përkrahjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian”, përfundon komunikata e Zyrës së Kryeministrit.

Albin Kurti dhe Viola von Cramon

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të Leposaviqit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit.

Bashkimi Evropian ka dënuar ashpër tensionet e reja në veri të Kosovës dhe ka shprehur qëndrimin se më nuk do të pranojë “asnjë veprim të njëanshëm ose provokues”, ndërsa u ka bërë thirrje të gjitha palëve që menjëherë, të ndërmarrin veprime në funksion të shtensionimit të situatës dhe të rivendosjes së qetësisë.

“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm përplasjet në mes të Policisë së Kosovës dhe protestuesve në veri të Kosovës, të iniciuara nga përpjekja e kryetarëve të sapozgjedhur që të hyjnë në objektet komunale”, thuhej në reagimin e Bashkimit Evropian.

Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që ta ndryshojë kursin, ngase “do të ketë pasojë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe” dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do t’i ndezë tensionet dhe do ta nxisë konfliktin.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo i ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”, thuhej në deklaratën e DASH-it.

“Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të ashpër dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”.

Edhe vetë sekretari Blinken, ka qortuar ashpër ekzekutivin kosovar, për “masa të dhunshme” në veri të vendit, duke i bërë thirrje kryeministrit Kurti që të rifokusohet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore