Kosova

Kurti i tregon zyrtarit të lartë të NATO-s si po i zmbrapsin sulmet e Serbisë


Thomas Goffus dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten, ka takuar Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm për Operacione të NATO-s, Thomas Goffus, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Kosovë.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit ka potencuar se institucionet e sigurisë në vend kanë “treguar maturi e përgatitje në përballjen dhe zmbrapsjen e sulmeve të Serbisë”.

“Në bisedën tonë, theksova se përkundër kërcënimeve të vazhdueshme dhe tentativave destabilizuese të Serbisë pro-ruse, Republika e Kosovës në tri vitet e fundit ka njohur progresin më të madh ndonjëherë ekonomik dhe demokratik”, ka shtuar ai.

Ndër të tjera Kurti ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar “në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon, teksa e rrisim bashkëpunimin e ngushtë e të rregullt me njëri-tjetrin”.

“Sundimi i rendit e ligjit mbeten parësore. Do të vijojmë pareshtur të mbrojmë qytetarët e territorin, sovranitetin dhe demokracinë, pavarësinë dhe lirinë, si dhe progresin e prosperitetin tonë”.

Ndërkohë Goffus, nëpërmjet një video-mesazhi, të enjten, potencoi se “veprimet e papritura” dhe “të pakoordinuara”, posaçërisht në Veri të Kosovës, mund të rrisin “rrezikun e dhunës”, e cila më pastaj “cenon sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë, dhe rrezikon trupat e KFOR-it”.

Andaj në vlerësimin e tij gjithë në këtë mes është esenciale që Kosova dhe Serbia të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, në atë mënyrë për “të zgjidhur çështjet e mbetura”.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjitha palëve, të implemtentojnë marrëveshjet e arritura pa vonesë”, ka thënë Goffus.

Duke potencuar rritjen e prezencës së NATO-s në Kosovë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, Goffus, ka potencuar se shtimi i trupave ushtarake, “është i domosdoshëm momentalisht”, por nuk ofron një “zgjidhje për një paqe afatgjate në Kosovë”.

“Zgjidhja është politike”, shton ai.

Veprimet e papritura dhe të pakoordinuara në Veri mund të rrisin rrezikun e dhunës, thotë zyrtari i lartë i NATO-s

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore