Kosova

Kurti “i inatosur” dhe “i frustruar” me aleatët, në vend të punës zgjodhi ankesat


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Foto: Albanian Post.

Kërkesa e Gjermanisë dhe Francës që draftstatuti i Asociacionit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese para anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE), tregoi për raportet e dobëta që aktualisht ka Kosova me shtetet aleate.

Një situatë jo të këndshme me këto shtete e tregoi edhe deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e së mërkurës ku tha se “s’ka pritur që pengesat për anëtarësim në organizatën e Këshillit të Evropës (KiE), do t’u bëheshin nga shtetet demokratike”.

Megjithatë, për njohësit e çështjeve politike të cilët e kanë përcjellur punën e qeverisjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, këto raporte me vendet aleate s’kanë qenë asnjëherë të mira gjatë kësaj udhëheqje.

Sipas tyre, për herë të parë janë dëgjuar deklarata nga personat që përfaqësojnë vende të tjera që s’ishin dëgjuar më herët, e për herë të parë Kosova po vazhon të jetë e sanksionuar nga Bashkimi Evropian.

“Qeveria e humbi rrugën – raportet me aleatët më të dobëta se asnjëherë më parë”

Ligjëruesi i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, për deklaratën e Kurtit në konferencë për media, thotë se shpreh “frustrim” dhe “inati” ndaj aleatëve.

Arifi në një përgjigje për Albanian Post, potencon se politika e jashtme e Kosovës në përgjithësi për momentin s’është aspak e mirë.

“Aktualisht politikën e kryeministrit nuk po e shoh si politikë të mirë dhe të zgjuar. Është duke u vërejtur që e gjithë qeveria ka mungesë të madhe të botëkuptimit të politikës së jashtme dhe kjo normalisht që është dëmtim i raporteve me aleatët kryesore”, deklaron ai për AP.

Sipas tij, ka qenë në duart e pushtetit që ky kushtëzim të mos paraqitej.

Flamuri i Kosovës, së bashku me disa flamuj të shteteve aleate.

Por, që në vend të punës pushteti zgjodhi të ankohej.

“Kushtëzimi nuk do të duhej të ishte, por ja që edhe Qeveria do të duhej të punonte intensivisht që ta eliminojë këtë kushtëzim dhe jo një herë të paraqitet në publik si arritje e madhe e Qeverisë Kurti dhe pastaj të dal dhe të ankohet. Qeveritë që ankohen, në një farë mënyre nuk janë aty për ta bërë punën”.

Ai shton se, “kjo sjellje vetëm e dëmton rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në strukturat euroatlantike”, prandaj kërkesa e tij është që “qeveria të jetë shumë serioze kur deklarohet publikisht”.

Sjellja e kryeministrit tregon për një drejtim të humbur në atë se çfarë po kërkon.

“Qeveria e Kosovës e ka humbur orientimin dhe rrugëtimin e saj se çka konkretisht po dëshiron. Po shkon nga një skaj në skajin tjetër dhe kjo tregon një amatorizëm të skajshëm të politikbërjes në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare”.

“Me këtë pushtet raportet s’do të jenë asnjëherë të mira”

Në anën tjetër, analisti politik, Fidan Ukaj, thotë se marrëdhëniet që nga marrja e pushtetit të kryeministrit Kurti, kanë shkuar drejt përshkallëzimit – kjo për shkak të një sërë arsyeve.

“Këto raporte nuk kanë qenë të mira asnjëherë. Për herë të parë ne e kemi dëgjuar ambasadorin Hovenier, i cili del para gazetarëve dhe thotë se raportet mes SHBA-së dhe Kosovës janë prekur, ngjashëm e kemi dëgjuar edhe Escobarin”.

Si argument tjetër që tregon për këto raporte të dobëta, Ukaj i përmend edhe sanksionet e vendosura nga BE-ja.

“Po ashtu, vazhdojmë të kemi sanksione nga ana e Bashkimit Evropian, kemi edhe masa. Nëse e shohim në thellësinë e kësaj raportet e Qeverisë me këtë kryeministër me vendet që na kanë ndihmuar gjithmonë s’kanë qenë asnjëherë të mira, vetëm sa janë përshkallëzuar”, thotë Ukaj gjatë bisedës për Albanian Post.

Ilustrim.

Ai s’ka shpresa që situata aktuale do të shkojë drejt përmirësimit, kjo pasi që ka mungesë të besueshmërisë.

“Me këtë kryeministër dhe me këtë Qeveri, raportet asnjëherë s’do të jenë të mira. Kjo pasi zotëri Kurti dhe ky pushtet i udhëhequr nga ai s’ka treguar asnjëherë besueshmëri ndaj aleatëve tonë dhe tani po dëshmohet edhe në rrugën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës – duke e kushtëzuar Kosovën me implementimin e një dakordimi të më hershëm”.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022.

Më 27 mars, Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e Dora Bakoyannisit, raportuese e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën.

Raportit pozitiv i ka paraprirë vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i kthyer 24 hektarë tokë dhe pyje Manastirit Ortodoks të Deçanit, në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilin me vite ka refuzuar ta zbatojë.

Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në raportin e Bakoyannisit thuhet se është çështje e brendshme e Kosovës.

Megjithatë kërkesë e Francës dhe e Gjermanisë ka qenë që draftstatuti i Asociacionit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese para anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë kërkesë e ka quajtur “absurde”.

“Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente të cilat s’i ka pranuar dhe që nuk janë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde dhe përkundër kësaj tri herë gjatë këtij procesi u tentua që të futej kjo kërkesë si parakusht për anëtarësim”, deklaroi ai të mërkurën.

Edhe më 6 maj, Kurti, ka kërkuar nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it, që për dialogun të flitet në Bruksel dhe jo në Strasburg.

Duke kërkuar që procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) dhe dialogu Kosovë-Serbi të mos ngatërrohen me njëra-tjetrën.

Thirrja e Kurtit drejtuar shteteve të QUINT-it ishte që ta mbështesin anëtarësimin e Kosovës më 17 maj për në Këshill të Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore