Kosova

Kurti harron testin “PISA” e mos-sigurimin e teksteve shkollore, numëron “sukseset” e Qeverisë në arsim


Albin Kurti

Ndonëse Ministria e Arsimit vitin e kaluar dështoi në sigurimin e teksteve shkollore për filloristët e Kosova u rendit gati e fundit në rezultatet e testit PISA, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në tre vjetorin e Qeverisë së Kosovës është krenuar me punën në fushën e arsimit.

“E kemi mbajtur fjalën për studentët kur kemi thënë se arsimi i lartë publik do të jetë falas. Në të njëjtën kohë e kemi shtuar mbështetjen për ta”, ka shkruar fillimisht Kurti në platformën sociale, Facebook.

“Janë gjithsej mbi 10 mijë e 200 bursa për studentë që janë ndarë gjatë këtyre tre vjetëve. Prej tyre, mbi 5 mijë e 170 Bursa Elitare. Mbi 4 mijë e 880 bursa për studentë në fushat STEM – shumica prej tyre për vajza dhe gra”.

Kurti e ka cilësuar si arritje edhe a hartimin e strategjisë për arsim për vitin 2022 – 2026, si dhe hartimin e ligjeve dhe udhëzimeve administrative që rregullojnë funksionimin e arsimit nga fëmijëria e hershme deri te arsimi i lartë.

“Arsimi dual për të cilën kemi folur gjatë sa kemi qenë opozitë, po bëhet sa jemi në qeverisje. Ajo është një prej ndërmarrjeve më të mëdha për ta lidhur dhe ndërlidhur shkollimin profesional me tregun e punës, arsimin me ekonominë. Në vitin e dytë akademik të zbatimit, janë gjithsej 12 profile, në 21 shkolla profesionale, në 14 komuna anekënd Kosovës, në të cilat deri më tani janë të përfshirë 920 nxënës”.

Ndonëse kishte premtuar ndërtimin e 160 çerdheve për 4 vjet në qeverisje, Kurti e ka cilësuar si arritje investimin “në ndërtimin, renovimin e adoptimin e gjithsej 34 çerdheve”.

“Për herë të parë po bëhet rishikimi përmbajtësor i teksteve mësimore që është themeltar për ngritjen e cilësisë së arsimit dhe dijes e informatave që marrin nxënësit tanë. Në prag të tri vjetorit të qeverisë, u finalizua dosja me më shumë se 600 faqe nga rishikimi i gjithsej 38 teksteve mësimore të klasave I-IX, për gjuhë dhe matematikë. Ekspertët hartues kanë vlerësuar se 28 tekste e plotësojnë pragun e kalueshmërisë prej 80% por që megjithatë kanë nevojë për përmirësime”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore