Lajme

Kurti: Gjaku i Afrim Bunjakut s’do të humbë asnjëherë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, në vizitë në shtëpinë e rreshterit të ndjerë të Policisë, Afrim Bunjaku i cili u vra nga grupet terroriste të dielën e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kanë thënë se “gjaku i tij s’do të humbas asnjëherë.

Teksa, veprat dhe përkushtimi i tij ndaj atdheut do të mbesin gjithmonë në mendje e zemra.

“Afrim Bunjaku, nga rreshter i Policisë u bë hero i Kosovës. Emri i tij s’do të harrohet kurrë”.

“Gjaku i tij s’do të humbë asnjëherë. Rënia e tij heroike ngrit lart Republikën e pavarur dhe përgjegjësinë shtetërore për ligj e rend e siguri anembanë për të gjithë dhe secilin. Lavdi!”, ka shkruar Kurti në librin e ngushllimëve, ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit.

Foto e publikuar nga Zyra e Kryeministrit.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiçin, nënkryetarin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiçi i armatosur në Banjskë.

Një ditë më pas, ministri i Brendshëm, publikoi një fotografi të një terroristi të vrarë dhe një dokument duke faktuar përfshirjen e Serbisë në rastin e sulmit të grupit terrorist.

Dokumenti, sipas tij vërteton, që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit terrorist lansuesin e granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit.

Ndërsa fotografia i publikuar nga Sveçla, dëshmon se njëri nga terroristët serbë të vrarë në aksionin e Policisë së Kosovës të dielën ishte truproja e shefit të Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA), Aleksandër Vulin, gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 2013.

Shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore