Lajme

Kurti: Finlanda është një vend model për Kosovën


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Finlanda është një vend model për Kosovën.

Këto komente, Kurti i ka bërë në pritjen e organizuar me rastin e 106-vjetorit të festës së pavarësisë së Finlandës, ku ka theksuar se vendi nordik ilustron shumë nga vlerat dhe aspiratat tona kyçe.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka kujtuar partneritetin dhe rolin e Finlandës ndër vite, dhe ndihmën e saj të drejtpërdrejt ndaj Kosovës, përfshirë edhe mbështetjen për liberalizimin e vizave.

“Agjencia Finlandeze e Zhvillimit Ndërkombëtar ka qenë e rëndësishme në mbështetjen e projekteve jetike në edukimin për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, kujdesin shëndetësor dhe më shumë”, tha kryeministri.

“Miqtë më të mirë nuk janë vetëm shoqërues në gëzim, por mentorë në të mësuar”, veçoi kryeministri, duke shtuar se Kosova është ambicioze dhe e përkushtuar që t’i pasqyrojë këto vlera të progresit social, sigurisë, inovacionit dhe t’i bashkohet institucioneve euroatlantike dhe evropiane”.

Tutje, ai deklaroi se “ndërsa lidhjet tona vazhdojnë të rriten, ne presim me padurim mundësitë e shumta të bashkëpunimit që kemi përpara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore