Lajme

Kurti është dëshpëruar nga Escobar-i


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, tha se nuk është ftuar në takimin e organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, ku do të diskutohet më në detaje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë. Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik”, tha Kurti.

Kurti tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.

“Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni”, theksoi Kurti.

Duke folur për planin e Bashkimit Evropian me të cilin synohet normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Kurti tha se ai nuk është prezantuar në formën “merre ose lëre”, por si platformë për diskutim të mëtutjeshëm.

“Ajo as nuk quhet marrëveshje finale dhe unë besoj me të drejtë nuk quhet, meqenëse duhet të ketë bisedime. Ajo është platformë e përbashkët për bisedime. Nuk është version përfundimtar i llojit ‘merre ose lëre’”, potencoi ai ndërsa përsëriti se propozimi është bazë e mirë për diskutim, por se nuk përmban gjithçka që Kosova do të dëshironte.

“Pra, nuk është se Kosova humbet, por Kosova nuk e arrin atë që besojmë se është e drejtë, jo vetëm se e dëshirueshme. Por, kur të fillojmë bisedimet dhe të hapet çështja e marrëveshjes, bazuar në propozimin evropian, atëherë ne do të mund të diskutojmë hollësitë e tilla”.

Duke folur për për marsin si “afat natyror” për arritjen e marrëveshjes, kreu i ekzekutivit ka shprehur çudinë se si pas atyre vizitave intensive të muajve të fundit në të cilat u prezantua plani franko-gjerman, nuk po ka ftesa për takime më të “dendura” me palen serbe.

“Për mua është plotësisht e arsyeshme që sa më parë ta arrijmë marrëveshjen, mirëpo për këtë duhet të ketë bisedime intensive. Andaj unë jam çuditur se si në njërën anë sillet propozimi, e në anën tjetër nuk insistohet për takime të dendura”.

“Unë kam pritur që do të kemi takime të rregullta mujore, siç jemi dakorduar më 18 gusht. Kjo nuk ndodhi. Kam besuar se mbase është për shkak të refuzimit të Serbisë, ose ndoshta ndërmjetësit kanë ndonjë plan që s’e dimë as ne”, tha ai.

Kurti, në këtë intervistë për REL, e pranoi se ka marrë paralajmërime për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes së Perëndimit, nëse Kosova nuk do të tregohet konstruktive në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi.

Por, tha se ai është i bindur që “Kosova është duke u dëshmuar si palë konstruktive në këtë proces”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore