Kosova

Kurti e Roth flasin për takimin e 14 shtatorit në Bruksel


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth me të cilin ka biseduar për procesin e dialogut dhe takimin e 14 shtatorit mes Kurtit dhe presidenti të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“U diskutua rreth reformave të Qeverisë, situatën aktuale në vend, dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe takimin e radhës të nivelit të lartë politik që do të mbahet të enjten e kësaj jave, si dhe për rrugëtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë”, thuhet në njoftim për media nga Qeveria.

Sipas njoftimit, tregues të thellimit të marrëdhënieve bilaterale janë shkëmbimet tregtare dhe investimet e huaja.

“Nga viti 2021 në vitin 2022, eksportet e Kosovës për në Gjermani janë rritur për 42% ndërkaq investimet e Gjermanisë në Kosovë për 60%.

Po ashtu kryeministri Kurti e njoftoi deputetin Roth me progresin e përgjithshëm, me theks te indikatorët e fundit makroekonomik dhe me arritjet kryesore të qeverisjes.

Ndryshe, Michael Roth ishte njëri nga nënshkruesit e parë të letrës së përbashkët të 10 kryetarëve të komisioneve parlamentare për politikë të jashtme të 16 shteteve, në të cilën ishte shprehur mbështetja për Kosovën dhe ishte bërë thirrje për qasje më të ashpër ndaj Serbisë.

Ndërsa kryesuesi i Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth u shpreh falënderues për mikpritjen dhe bashkëpunimin e mirë, duke ofruar mbështetjen e tij të mëtejme.​

Roth është takuar gjatë ditës edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Vizita e Roth në Prishtinë vjen pak ditë para takimit të 14 shtatorit në Bruksel, ku pritet të zhvillohet takimi i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së. Kryeministri Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç pritet të takohen ballë për ballë pas më shumë se katër muajve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore