Kosova

Kurti e përmbyll vizitën në Slloveni me “shpresë e besim” për të ardhmen


Albin Kurti, Edi Rama, Ana Brnabiç, Dritan Abazoviç, Robert Golob, Tanja Fajon, Charles Michel dhe Dimitar Kovaçevski

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me anë të një përmbledhje të aktiviteteve të tij në Bled të Sllovenisë, ku në mesin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, por edhe zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian (BE), ishte pjesëmarrës në Forumin Strategjik 2023, ka ndarë përshtypjet e tij lidhur me vizitën dy-ditore atje.

Kreu i ekzekutivit kosovar, rrëfimin e tij e ka nisur me përshkrimin e klimës dhe gjendjes atmosferike në qytetin piktoresk të Bledit, aty ku përveç pjesëmarrjes në Forumin Strategjik – fjalimi i tij është duartrokitur nga një pjesë e madhe e publikut – ka zhvilluar disa takime bileaterale me liderë rajonalë e zyrtarë të lartë të BE-së.

“Me mjegullen mbi liqe, qiellin e ngrysur dhe temperaturat e ulëta dukej sikur vjeshta kishte ardhur më herët në Bled por shiu që ra vetëm sa ja shtoi bukurinë qytetit mes bjeshkëve”, ka shkruar kryeministri Kurti në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook”, derisa ka treguar për takimet dhe shkëmbimet që ka pasur përgjatë vizitës së të tij atje.

“Të dielën, pasi vizitova ekspozitën e artistes sonë Flaka Haliti në Galerinë Artit në Lubjanë, në mbrëmje iu bashkëngjita darkës së punës të ftuar nga Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob me liderë të rajonit dhe me presidentin e Këshillit të Evropian, Charles Michel”, ka treguar kryeministri Kurti, të martën në mbrëmje.

E të hënën ai ka qenë i zënë me panelin e liderëve në të cilin ndër të tjera ka thënë se i gjithë rajoni duhet të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-s, duke bërë thirrje njëkohësisht për marrëdhënie të mira fqinjësore, të ketë njohje reciproke mes shteteve, respektim të të drejtave të pakicave kombëtare dhe të ketë ballafaqim me të kaluarën.

Gjithashtu, në margjinat e Forumit Strategjik, shefi i ekzekutivit ka takuar për të pestën herë Emisarin Special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach dhe Emisarin Special të BE-së për dialogun, Mirslav Lajçak, me të cilët ka folur për bashkëpunimin rajonal, çështjet aktuale dhe procesin e dialogut.

Kryeministri Kurti, në dritën e “fërshëllimës” së zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2030, ka nënvizuar se vizitën e tij në Bled të Sllovenisë po e përmbyllë me më shumë “shpresë e besim” për të ardhmen e ndritur të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore