Lajme

Kurti e ka pranuar ekzistencën e “kornizës së re”, sepse tani ka qartësi për pozicionimin e tij


Korniza e re

U është dashur gati një muaj kohë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe ministres së punëve të Jashtme, Donika Gërvallës, që ta pranojnë ekzistencën “kornizës së re” për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, e propozuar nga Gjermania dhe Franca, derisa në Serbi, presidenti Aleksandër Vuçiç, e pranoi disa herë se e ka parë një dokument të tillë.

Në dokumentin e publikuar nga Albanian Post më 18 shtator, shkruhej për zgjidhjen finale dhe normalizim raportesh mes dy shteteve, e cila parashihte që vitin e ardhshëm të arrihet një njohje de facto e Kosovës nga Serbia dhe në hark kohor prej 10 vjetësh të vije edhe njohja de jure bashkë edhe me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Vetë fakti që Qeveria e Kosovës nuk e kishte demantuar asnjëherë zyrtarisht se u është propozuar dokumenti, sipas analistit politik Agon Maliqit, “njëfarë dore e konfirmonte atë prej kohesh”.

“Fakti se Kurti tani e pranon ekzistencën e dokumentit mund të nënkuptojë se ai tani e ka njëfarë qartësie se si të pozicionohet në raport me këtë idenë e ndërkombëtarëve, gjë që përputhet edhe me deklarimin e fundit të Kurtit se ndihet optimist për dialogun”, thotë Maliqi për Albanian Post.

Por, profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, nuk i beson Kurtit e Gërvallës.

“Nuk i besoj shumë Donika Gërvallës as Albin Kurtit, sepse ata dinë me i hëngër karremat”, thotë Spahiu për AP, derisa ka mëdyshje se kjo kornizë e re i shkon në favor Serbisë.

“Serbia merr gjëra konkrete”. Sa për premtimin se Kosova do të njihet nga pesë shtetet mos-njohëse të BE-së e sheh “vështirë të realizueshëm”.

“Spanja mundet me i pas arsyet e veta që të vazhdojë mos ta njohë Kosovën”, vuri në pah ai.

Kurti e pranon se i është prezantuar korniza e re franko gjermane: Jo gjithçka mund ta hedhim në opinion

Qeveria e Kosovës tashmë e ka pranuar se ekziston propozimi franko-gjerman.

Fillimisht atë e konfirmoi Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e më pas edhe vetë kryeministri Albin Kurti, i cili e pranoi ekzistencën e propozimit, por u arsyetua se s’mund të thotë gjithçka në publik meqë akoma “nuk është ngurtësuar” mjaftueshëm.

“Pra duhet diçka të ngurtësohet që të publikohet, përderisa është në gjendje të lëngshme nuk është korrekte nga ana ime që ta publikoj, pas ngurtësimit vjen publikimi”, tha Kurti.

Por, Albanian Post e publikoi “të lëngshme”, si nevojë e domosdoshme për të informuar publikun me çfarë po ndodhë në takimet e mbyllura mes Kurtit e Vuçiç-it, por edhe Kurtit e ndërkombëtarëve.

Gjithsesi, rrjedhja e dokumentit nga Albanian Post por, më e rëndësishmja, insistimi që çështja të ngel aktuale, përkundër demanteve idioteske, ka krijuar një realitet të ri.

Tani flitet haptas për nevojën që BE të jetë unike, pra që pesë shtetet duhet ta njohin Kosovën. Madje edhe Serbia e pranon që pak gjëra janë në dorën e saj.

Ekskluzive, “korniza e re” në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive

Të dielën e 18 shtatorit, Albanian Post publikoi dokumentin katër faqesh i cili paraqiste planin në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz.

Aty thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

“’Korniza e re’ të cilën e publikoi Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument ‘Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin’”.

Dokumenti shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.

Përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.

Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it.

Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim.

Publikimi i radhës

Brenda disa ditësh, Albanian Post, sërish do të publikojë edhe një dokument tjetër, i cili përmban detaje kritike për dialogun.

Sërish, publikimi bëhet në funksion të informimit dhe krijimit transparencë në një proces që s’ka parë mbyllje të tillë prejse ka filluar dialogu në Bruksel para 11 vjetësh.

Shpresa është se kësaj here fokusi do të jetë më i qartë dhe gazetarët e analistët më shumë të merren me substancën e dokumentit, sesa me publikuesin e tij.

Publikimi i radhës nga Albanian Post – një dokument me detaje kritike për dialogun

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore